Izraeli njoftoi se do të ndalojë organizatën humanitare Médecins Sans Frontières, që në shqip përkthehet Mjekët pa Kufij (MSF) të punojë në Gaza, pasi kjo organizatë mjekësore refuzoi të dorëzojë një listë të stafit të saj në territor.
Qeveria izraelite kishte urdhëruar 37 organizata që të dorëzonin dokumente për punonjësit e tyre lokalë dhe ndërkombëtarë në Gaza, duke pretenduar se disa nga punonjësit e MSF-së mund të kishin lidhje me grupet e armatosura të Hamasit dhe Xhihadit Islamik. Organizata ka mohuar fuqishëm këto akuza.
MSF njoftoi të premten se nuk do të ndante me autoritetet izraelite listën e stafit palestinez dhe ndërkombëtar, pasi nuk kishte marrë “garanci për sigurinë e stafit të saj”.
Si përgjigje, Izraeli njoftoi se po “merr masa për të ndalur aktivitetet” e MSF-së në Gaza.
Ministria izraelite për Çështjet e Diasporës dhe Luftën kundër Antisemitizmit tha se vendimi erdhi pas “dështimit të MSF-së për të dorëzuar listat e punonjësve lokalë, një kërkesë që vlen për të gjitha organizatat humanitare që operojnë në rajon”.
Më 30 dhjetor, Izraeli njoftoi se do të revokojë licencat e 37 organizatave ndërkombëtare joqeveritare që punojnë në Gaza dhe Bregun e Pushtuar Perëndimor, duke thënë se ato nuk kishin përmbushur kërkesat e reja të regjistrimit.
Në atë kohë, ministria e diasporës tha se masa ishte e nevojshme për të parandaluar “infiltrimin e operativëve terroristë në strukturat humanitare”.
Grupeve humanitare (që përfshijnë MSF, ActionAid dhe Këshillin Norvegjez për Refugjatët) iu thanë se operacionet e tyre duhet të përfundonin brenda 60 ditësh.
Kjo masë u dënua nga 10 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kanadanë, të cilat thanë se rregullat do të kishin një ndikim të rëndë në qasjen në shërbime thelbësore.
MSF tha në një deklaratë të premten se kishte informuar autoritetet izraelite se, si një “masë e jashtëzakonshme”, do të ndante një listë të emrave të stafit të saj palestinez dhe ndërkombëtar, “me kushte të qarta, duke pasur si prioritet sigurinë e stafit tonë”.
“Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura, u bë e qartë në ditët e fundit se nuk mund të ndërtonim një bashkëpunim me autoritetet izraelite mbi garancitë konkrete të kërkuara,” tha organizata.



