Norvegjia ka njoftuar se po tërheq trupat e saj nga Iraku për shkak të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Forcave të Armatosura Norvegjeze (FOH), Brynjar Stordal tha për transmetuesin norvegjez NRK se afërsisht 60 ushtarë norvegjezë ishin të stacionuar në Irak dhe Jordani, dhe se ata po tërheqin trupat e tyre nga Iraku për shkak të rritjes së fundit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Stordal deklaroi se situata është e përkohshme dhe nuk dha informacion mbi numrin e trupave të tërhequra nga Iraku ose vendndodhjen e tyre.
Ai shtoi se disa trupa mbeten në vende të ndryshme dhe i nënshtrohen kontrolleve specifike të sigurisë.
Stordal deklaroi se ata e ndërmorën këtë hap për shkak të “kërcënimeve dhe tensioneve në rajon”.
Ndryshe, ushtria amerikane po stacionon një gamë të gjerë forcash në Lindjen e Mesme, duke përfshirë dy transportues aeroplanësh, aeroplanë luftarakë dhe anije cisternash furnizimi me karburant, me presidentin Donald Trump që tha se Irani ka 10 deri në 15 ditë kohë për të arritur një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor. /Telegrafi/



