Një stuhi dimërore goditi pjesë të verilindjes së Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Nju Jorkun, Nju Xhersin dhe pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut, duke e bërë udhëtimin pas Krishtlindjeve jashtëzakonisht të rrezikshëm, thanë zyrtarët amerikanë.
Sipas parashikimeve, stuhia mund të sjellë sasinë më të madhe të borës në Nju Jork në vitet e fundit, raporton ABC.
Priten reshje të dendura dëbore në disa pjesë të Nju Jorkut, Pensilvanisë lindore, Nju Xhersit, Konektikatit, Masaçusetsit perëndimor dhe Rhode Islandit.
Për shkak të stuhisë, deri më tani janë anuluar më shumë se 1,500 fluturime, dhe aeroportet në Nju Jork, si dhe Aeroporti Ndërkombëtar në Filadelfia, ishin më të prekurat. Në Nju Jork dhe Nju Xhersi është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin parashikimet lokale të motit, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të marrin të gjitha masat paraprake nëse duhet të udhëtojnë.
Reshjet më të dendura të dëborës goditën zonën tre-shtetërore të premten dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë natës, gjë që, sipas parashikimeve, do ta ndërlikojë më tej trafikun në rrugën nga Filadelfia në Nju Jork dhe Albany.
Bora filloi të binte në Nju Jork rreth orës 5 pasdite dhe pritet të ndalet rreth orës 7 të mëngjesit, me rreth 18 centimetra të parashikuara borë, që është më e larta në pothuajse katër vitet e fundit.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, e quajti atë një “ngjarje të rëndësishme dëbore” dhe deklaroi se pastrimi i borës do të fillojë më vonë në mbrëmje.
Në veri të shtetit të Nju Jorkut dhe Long Island priten midis 15 dhe 25 centimetra borë, ndërsa në Filadelfia parashikohen 2.5 deri në 7.5 centimetra borë dhe akull.
Dje në mëngjes, breshëri përfshiu Pensilvaninë dhe pjesë të Pensilvanisë perëndimore janë nën paralajmërim për stuhi akulli, me mundësinë e ndërprerjeve të energjisë elektrike.



