Qeveria do të organizojë një konferencë ndërkombëtare më 14 mars, kushtuar tragjedisë së Koçanit. Konferenca, e titulluar “Aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçani – Një vit më vonë”, do të mbledhë përfaqësues të institucioneve, ekspertë të shëndetit, organizata ndërkombëtare dhe partnerë humanitarë, raporton Meta.
“Konferenca synon të kryejë një analizë gjithëpërfshirëse të reagimit ndaj tragjedisë, nga ndërhyrja fillestare dhe shpëtimi i jetëve, deri te trajtimi afatgjatë, rehabilitimi dhe zgjidhjet sistemike për të ardhmen”, tha qeveria.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë 37 mjekë dhe ekspertë mjekësorë nga jashtë vendit, të cilët morën pjesë drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve të lënduar në ditët e para pas tragjedisë.
Konferenca do të fillojë me një hapje institucionale, e ndjekur nga një moment përkujtimor në nder të viktimave të tragjedisë.
Si pjesë e këtij aktiviteti do të mbahen disa panele tematike. Paneli i parë do të diskutojë Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile dhe reagimin ndërkombëtar, duke përfshirë koordinimin midis institucioneve dhe transferimin e pacientëve jashtë vendit.
Paneli i dytë do t’i kushtohet reagimit shëndetësor kombëtar dhe ndërkombëtar dhe trajtimit akut të djegieve, me fokus në ndërhyrjen mjekësore emergjente, aspektet kirurgjikale dhe pulmologjike të trajtimit dhe koordinimin midis institucioneve shëndetësore.
Paneli i tretë do të përqendrohet në rikuperimin afatgjatë të pacientëve, duke përfshirë rehabilitimin, mjekësinë fizike, mbështetjen psikologjike dhe psikiatrike, si dhe monitorimin e cilësisë së jetës së të mbijetuarve.
Sesioni i fundit do të prezantojë zgjidhjet e ardhshme dhe hapat sistemike që institucionet planifikojnë të ndërmarrin për të përmirësuar gatishmërinë e sistemit shëndetësor për t’u përballur me situatat e krizës.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.
Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.



