Një shtetas turk është vrarë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Festimet e vitit të ri nuk ishin edhe aq të qeta. Në territorin e Shkupit, është regjistruar një vrasje, ku humbi jetën një shtetas turk, ndërsa 7 persona janë lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Po ashtu, në Manastir një person është vetëlënduar nga përdorimi i pushkës së gjuetisë. Incidenti më serioz u regjistrua në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku përveç personit që ndërroi jetë, ka edhe persona të tjerë të lënduar rëndë.

“Në rastin penal konkret, kemi një person që ka ndërruar jetë, kemi një person tjetër që është i lënduar rëndë, me thikë të mprehtë janë shkaktuar edhe vrasja edhe lëndimi i rëndë truporë. Kemi person të dyshuar, por në interes të hetimit nuk do të mund të hap më shumë detaje. Për momentin personi është në arrati. Bëhet fjalë për një numër më të madh të pjesëmarrësve në korniza të këtij rasti, ku të gjithë sipas informacioneve janë shtetas të huaj”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski tha se një ditë ma parë janë regjistruar 31 vepra penale, 23 aksidente dhe 49 persona janë arrestuar.

“Gjatë periudhës së ditës së djeshme janë regjistruar 31 vepra penale, si dhe 23 aksidente trafiku, prej të cilëve 2 me lëndime të rënda trupore. Janë arrestuar gjithsej 49 persona mbi baza të ndryshme, më së shumti për tregti jo legale me drogë dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Por, sipas numrit “një” të policisë, megjithatë festimet e Vitit të Ri, në të gjithë territorin e shtetit, mund të cilësohen si të qeta dhe stabile, ndërsa siç njoftoi ai, në natën e ndërrimit të moteve ka pasur prezencë të përforcuar të policisë në terren. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit