Startup-i i inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab, i themeluar nga ish-drejtoresha e teknologjisë së OpenAI, Mira Murati, ka arritur një marrëveshje shumëvjeçare strategjike me kompaninë amerikane Nvidia për zhvillimin e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale, transmeton KultPlus.
Sipas marrëveshjes, Nvidia do të investojë në startup-in e Muratit dhe do të furnizojë kompaninë me procesorë të gjeneratës së ardhshme për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të avancuara të AI. Partneriteti përfshin përdorimin e platformës së re të Nvidia, Vera Rubin, e cila pritet të përdoret për ndërtimin e sistemeve të fuqishme të trajnimit të inteligjencës artificiale.
Sipas raportimeve, infrastruktura që do të përdoret në këtë projekt mund të arrijë deri në një gigavat kapacitet kompjuterik, një nivel që zakonisht përdoret vetëm nga laboratorët më të mëdhenj të inteligjencës artificiale në botë. Kjo pritet të ndihmojë kompaninë e Muratit të zhvillojë modele të reja të AI që mund të konkurrojnë me projektet më të avancuara në industri.
Thinking Machines Lab u themelua në vitin 2025 në San Francisko dhe synon të krijojë sisteme të inteligjencës artificiale që janë më të kuptueshme dhe të personalizueshme për përdoruesit dhe organizatat. Kompania ka tërhequr tashmë disa nga studiuesit më të njohur të fushës së AI nga kompani si OpenAI dhe Meta.
Marrëveshja me Nvidia konsiderohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin e teknologjive të reja të inteligjencës artificiale dhe mund ta vendosë startup-in e Muratit ndër projektet më ambicioze të industrisë globale të AI./KultPlus.com



