Këtyre ditëve doli nga shtypi libri i parë i autores, Mr. Gzime Ramadani, nga Kumanova, me titull “Gamifikimi, si qasje e re komunikimi në mësimdhënien dhe të nxënit e gjuhës së huaj”.
Ky libër, i cili është punimi i magjistraturës së autores, me disa shtojca, është libri i vetëm deri më tani në fushën e mësimdhënies dhe nxënies, përfshirë edhe aspektet e komunikimit dhe ato didaktike, ku në qendër të fokusit ka integrimin e elementeve të lojës, në aktivitetet e të mësuarit “konvencional”, në mënyrë që të rritet angazhimi dhe motivimi i nxënësve. Kjo qasje, kontribuon në lehtësimin e të mësuarit të gjuhës së huaj.
Ky libër i rrallë në arealin shqiptar, është i vlefshëm edhe lëndën e gjuhës frënge dhe dimensionin frankofon, sepse shërben për nxitjen e kërshërisë, motivimit dhe zellit në mësimdhënien e gjuhës frënge në vendin tonë, duke shërbyer si ndihmesë e madhe për nevojat e mësimdhënies në shkollat ku mësohet frëngjishtja, në Institutin Francez në Shkup, në Aleancat Franceze në Tetovë e Manastir, e kështu me radhë.
Recensentë të librit janë: prof.dr. Demush Bajrami, prof. dr. Xheladin Murati, prof. dr. Arafat Shabani dhe prof. dr. Meral Shehabi-Veseli.
Redaktor i librit është Mr. Iljasa Salihu, redaktor gjuhësor Dr. (k). Ardian Ramadani, e faqosjen e kopertinat i ka realizuar znj. Laura Shemshaja.
Libri është botim i N.Sh. Armagedoni, në Prishtinë.
Prof. dr. Demush Bajrami, mes tjerash për librin thekson se ky libër vjen në kohën e duhur, e sidomos duke pasur parasysh integrimin në rritje të mjeteve digjitale dhe metodologjive interaktive në arsim, veçanërisht në kontekstet e të nxënit gjuhësor përmes lojës.
Prof. dr. Xheladin Murati, njohës i shquar i fushës së pedagogjisë, didaktikës dhe metodologjive të mësimdhënies, në mes tjerash vë në pah se autorja, përmes këtij libri, nuk e sheh mësimdhënien nga perspektiva e së shkuarës, por nga perspektiva e së ardhmes dhe modernizimit të arsimit.
Prof. dr. Arafat Shabani, në recensionin e tij thekson se kontribut i veçantë i librit është theksimi i rolit të mësimdhënësit si agjent i ndryshimit, si dhe vlerësimi kritik i sfidave, që shoqërojnë zbatimin e pedagogjisë gamifikuese në kontekste të ndryshme shkollore. Vepra sjell argumente bindëse për domosdoshmërinë e transformimit të praktikave tradicionale të mësimdhënies dhe përfshirjen e metodave inovative, që përgjigjen ndaj ritmeve të reja të të nxënit.
E në recensionin e fundit, prof. dr. Meral Shehabi-Veseli thekson se libri ofron një kombinim të rrallë mes thellësisë teorike dhe praktikës reale, të mbështetur në kërkime konkrete, duke e bërë të dobishëm si për mësimdhënësit, ashtu edhe për studentët e fushës së edukimit. Libri i ndihmon lexuesit të kuptojnë, se si elementet gamifikuese mund të shndërrohen në mjete të fuqishme didaktike, që rrisin motivimin, aktivizimin dhe kreativitetin e nxënësve.
Libri gjendet tanimë në dispozicion në bibliotekat dhe libraritë e Tetovës, Kumanovës, Shkupit dhe të Prishtinës.
Përndryshe, autorja e librit, profesoresha e gjuhës frënge, Gzime Ramadani, është e lindur në vitin 1986 në Llojan, komuna e Likovës.
Shkollën e mesme e ka mbaruar në gjimnazin e Kumanovës, me sukses të shkëlqyer, duke qenë edhe pjesë e paraleles bilinguale frankofone, të mbikëqyrur nga një lektor francez. Ka mbaruar me sukses studimet universitare në fakultetin e gjuhëve, kulturave dhe komunikimit, departamenti i gjuhës dhe letërsisë frënge në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ka qenë poashtu pjesëmarrëse në shumë seminare, trajnime dhe forume, që përfshijnë fushën e mësimdhënies, nxënies, arsimimit dhe edukimit, duke veçuar: Universitetin Rajonal të profesorëve të frëngjishtes në Strugë, Universitetin e Paqes në Kaen të Normandisë e kështu me radhë. Në vitin 2022, ka qenë fituese e konkursit “Letra më e mirë” organizuar nga Aleanca Franceze në Tetovë. Ka qenë edhe pjesëmarrëse në Forumin e Paqes në Paris në vitin 2023, edicioni i gjashtë, ngjarje kjo që organizohet çdo vit, nën përkujdesjen e presidentit francez, Emanuel Makron.
Në vitin 2023, ka qenë bursiste e Ambasadës së Francës në Shkup dhe Institutit Francez, si pjesëmarrëse në trajnimin më të madh interkulturor dhe gjuhësor pedagogjik në frëngjisht, në Nisë të Francës, edhe atë dy herë me radhë në po të njëjtin vit, mandej në vitin 2024, si dhe në vitin 2025, organizuar nga organizata Frankophonia, me seli në të njëjtin qytet, e cila është lojtare e përkushtuar në komunitetin arsimor frëngjishtfolës, si dhe ka për qëllim promovimin e Frankofonisë, përmes edukimit dhe vlerave të solidaritetit, hapjes dhe ndërkulturalitetit, me theks të veçantë në frëngjishten, si një gjuhë e përbashkët. Gzime Ramadani, ka qenë poashtu edhe koordinatore e projektit të shkëmbimit mes SHFK “7 Marsi” Opajë- Likovë dhe kolegjit “Alain Chartier”, nga qyteti i Bajes (Bayeux), në Normandi të Francës, në vitin 2022 dhe në vitin 2023. Znj. Gzime Ramadani është mes tjerash edhe përkthyese gjyqësore, si dhe pjesëmarrëse aktive në aktivitete të ndryshme të shumta të valorizimit të frëngjishtes dhe frankofonisë. Ka qenë profesoreshë e gjuhës frënge në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë, në gjimnazin “Ismet Jashari” në Likovë, mësimdhënëse e frëngjishtes në Institutin e Modës “Izet Curri” në Shkup, e aktualisht është mësimdhënëse e frëngjishtes në SHFK “7 Marsi” në Opajë, Likovë-Kumanovë.





