Pas plot 17 vitesh mungesë, FC Bashkimi 1947 ka shkruar një nga kapitujt më emocionues të historisë së tij, duke u rikthyer aty ku e ka vendin – në elitën e futbollit vendor. Ky rikthim nuk është rastësi, por rezultat i një pune të palodhur, përkushtimi maksimal dhe sakrifice të jashtëzakonshme.
Gjatë gjysmësezonit të kaluar, klubi përfaqësoi qytetin me dinjitet dhe profesionalizëm, duke dëshmuar se Bashkimi 1947 është gati për sfida të mëdha. Performanca e ekipit, e ndërtuar mbi disiplinën dhe shpirtin luftarak, u kurorëzua me një sukses që rikthen krenarinë te tifozët.
Nën drejtimin e presidentit Burak Hida dhe kryesisë së klubit, Bashkimi 1947 tregoi se di të ndërtojë një projekt serioz dhe konkurrues. Afrimet e rëndësishme gjatë afatit kalimtar veror dhanë efekt të menjëhershëm, ndërsa skuadra u shndërrua në një rival të denjë për çdo kundërshtar.
Por ambiciet nuk ndalen këtu. Klubi ka nisur tashmë një riorganizim të fuqishëm për pjesën e dytë të sezonit, e cila pritet të jetë vendimtare. Pas largimit të disa lojtarëve, drejtuesit kanë paralajmëruar një hyrje të fortë në tregun e transferimeve, me synimin për të sjellë futbollistë cilësorë që do ta rrisin edhe më shumë nivelin konkurrues të ekipit.
Nga klubi vjen edhe një thirrje e qartë për bashkim rreth Bashkimit 1947:
“Sot më shumë se kurrë, klubi ka nevojë për mbështetjen e të gjithë dashamirëve, mërgimtarëve dhe biznesmenëve tanë, që t’i afrohen klubit për krenarinë e qytetit dhe që ai të jetë sa më i fortë dhe sa më i suksesshëm.”
Drejtuesit premtojnë punë pa kompromis dhe rritje të standardeve, me synimin që FC Bashkimi 1947 të mos jetë thjesht pjesë e elitës, por të shndërrohet në një simbol të fuqishëm të futbollit vendor.(INA)



