Një ditë më parë hynë në fuqi ndryshimet në ligjin për sigurinë e komunikacionit rrugorë dhe tashmë kanë filluar të shqiptohen gjobat për këmbësorët, drejtuesit e motoçikletave dhe trotineteve elektrik, të cilët gjatë kalimit të rrugës janë kapur teksa kanë përdorur pajisje elektronike, apo në të dy veshët kanë pasur dëgjuese. Por për të rritur sigurinë në trafik, kryeshefja e sektorit për punë në komunikacion thotë se po ndërmerren një sërë masash, ndërsa ndër më kryesoret është që nga 1 janari 2026, projekti “Qyteti i Sigurt” do të transferohet në “Shtet i Sigurt”.
“Nga 1 janari 2026 po mendohet që ‘Qyteti i Sigurt’ të kalojë në projektin ‘Shtet i sigurt’, kemi grup pune ndër institucionale, ndër sektoriale e cila punon intensivisht në këtë projekt, intensivisht punon në vendosjen e faqeve të internetit, vendosjen e kamerave, mbulimin e të gjitha pikave të zeza, megjithatë ky sistem elektronik, nuk do të jetë vetëm në interes të trafikut, do të jetë për sigurinë e përgjithshme në shtet”, tha Maja Arsovska Manov, Kryeshefe e sektorit për punë të komunikacionit.
Kryeshefja e sektorit për punë të komunikacionit, Maja Arsovska Manov, në emisionin Gjurmët në Alsat, deklaroi se këto hapa po ndërmerren për shkak se numri i vdekjeve në trafik në mënyrë konstante është në rritje.
“Ta marrim parametrin e personave që kanë ndërruar jetë nga viti 2022 e këtej, numri i personave të vdekur në mënyrë konstante është në rritje, në asnjë vit nuk ka rënie të numrit. Në vitin 2024 kemi 142 viktima të aksidenteve në trafik. Edhe për këto 8 muaj sipas statistikës deri më tani, kemi 97 viktima, për 8 muaj, që është 7 persona më shumë se në periudhën e njëjtë vitin e kaluar”, shtoi ajo.
Arsovska Manov thotë se prezencë të policisë në trafik do të ketë gjithnjë, edhe pas vendosjes në funksion të kamerave nëpër disa pika, ndërsa nënvizoi se po ashtu do të ketë edhe automjete, që do të jenë në lëvizje dhe do të detektojnë dhe fotografojnë shkeljet./Alsat.mk