Dhjetori shënoi 100-vjetorin e shfaqjes së parë të Winnie-the-Pooh, një prej personazheve më të njohura dhe më të dashura për fëmijë në mbarë botën.
Ariu i famshëm u shfaq për herë të parë më 24 dhjetor 1925, në tregimin e shkurtër The Wrong Sort of Bees, të botuar në gazetën London Evening News. Më pas, Winnie-the-Pooh u kthye në një ikonë të letërsisë për fëmijë, së bashku me personazhe si Tigri, Christopher Robin dhe loja e njohur “Pooh sticks”.
Ngjarjet e librave janë vendosur në pyllin imagjinar “100 Aker Wood”, i cili bazohet në Ashdown Forest, në East Sussex të Anglisë, një zonë natyrore e mbrojtur dhe me rëndësi të veçantë peizazhore. Autori A.A. Milne kishte shtëpinë e tij të pushimit pranë këtij pylli, ku edhe u frymëzua për krijimin e tregimeve.
Libri Winnie-the-Pooh u botua në vitin 1926, ndërsa vazhdimi The House at Pooh Corner në vitin 1928. Po ashtu, Milne botoi edhe dy libra me poezi me personazhet e njohura.
Fama e Pooh vazhdon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik në zonë. Autoritetet lokale kanë ndarë rreth 450 mijë paund nga fondet publike për organizimin e aktiviteteve përkujtimore me rastin e 100-vjetorit.
Një nga pikat më të vizituara është ura e famshme “Pooh Sticks”, e cila u rindërtua në fund të viteve 1990 për arsye sigurie. Ura origjinale u shit në ankand në vitin 2021 për 131 mijë paund. Ndërkohë, popullariteti i personazhit u rrit edhe më shumë pasi kompania Disney bleu të drejtat e tregimeve në vitin 1961.
Që prej vitit 1978, “Pooh Corner”, një dyqan suveniresh dhe sallon çaji pranë urës, është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik. Pronari i tij shprehet se vizitorë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt zonës për të festuar trashëgiminë e Winnie-the-Pooh.
Po ashtu, që nga viti 2018, organizohen ture të udhëzuara nëpër Ashdown Forest, ku shumica e pjesëmarrësve vijnë nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht nga Amerika e Veriut.
Në kuadër të 100-vjetorit, në Ashdown Forest pritet të realizohet një instalacion artistik që do ta shndërrojë qendrën e vizitorëve në një libër të animuar në përmasa reale, si dhe të hapen shtigje të reja ecjeje, të projektuara për të respektuar zonat e mbrojtura natyrore./KultPlus.com



