11.8 C
Skopje
Sunday, November 2, 2025

Nisi ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë! Mickoski: Po shndërrohemi në nyjë energjetike në rajon

Ky nuk është një investim në tuba dhe beton, por investim strategjik në të ardhmen energjetike të shtetit. Po ndërtojmë themelet e një arkitekture të re energjetike, po shndërrohemi në një nyjë të rëndësishme energjetike në rajon, theksoi kryeministri Mickoski në ceremoninë me të cilën u shënua fillimi i ndërtimit të interkonektorit të gazit me Greqinë. Afër Negotinës, delegacioni qeveritar, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve financiare ndërkombëtare sot e shënuan zyrtarisht nisjen.

 

“Me këtë projekt do të ndërtojmë 66,7 kilometra gazsjellës në territorin e Maqedonisë, me tuba me diametër prej 700 milimetrash. Siç tha edhe drejtori, kapaciteti fillestar është 1,5 miliard metra kub gaz në vit, i cili mund të rritet deri në 3 miliardë. Kjo është energji për rritje, karburant për ekonominë, siguri për të ardhmen”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Po bëhemi pjesë e rrjetit energjetik evropian, theksoi kryeministri. E Ministrja e energjetikës Bozhinovska tha se çdo denar i investuar në interkonektor do të kthehet në ekonominë vendase.

 

“Ky nuk është vetëm një gazsjellës. Ky është një urë drejt tregjeve energjetike evropiane. Me këtë po bëhemi pjesë aktive e rrjetit energjetik rajonal. Paralelisht po punojmë edhe për të përfunduar të gjitha formalitetet dhe për ta vënë në funksion edhe përcjellësin për transport të dizelit. Janë duke u zhvilluar testimet teknike, presim që të vihet në funksion brenda disa muajve të ardhshëm. Gjithashtu po finalizojmë aktivitetet për lidhje të gazit me Serbinë”, shtoi Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës.

Zëvendëskryeministri Mexhiti me mesazh se interkonektori i gazit me Greqinë nuk është vetëm projekt infrastrukturor, por një mesazh i qartë se vendi e di kah po shkon, me kë po lidhet dhe çfarë të ardhmeje po ndërton.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit