Në fshatin Rashçe të Komunës së Sarajit kanë nisur punimet për rikonstruksionin e rrugës lokale që lidh Rashçen me fshatin Kopanicë, një projekt i shumëpritur nga banorët e zonës.
Në shënimin e fillimit të punimeve morën pjesë deputetja e zonës, znj. Feride Haxhiu, si dhe kryetari i Komunës së Sarajit, z. Muhamet Elmazi, të cilët theksuan rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe lehtësimin e qarkullimit.
Projekti kap vlerën mbi 20 milionë denarë dhe financohet plotësisht nga Ministria e Transportit. Sipas planifikimeve, punimet pritet të përfundojnë brenda një viti.
Rruga do të ketë gjatësi prej 1.745 metrash dhe gjerësi 3.5 metra, duke mundësuar qarkullim më të sigurt dhe më efikas për banorët e të dy vendbanimeve. Me realizimin e këtij projekti pritet të përmirësohet ndjeshëm lidhja ndërmjet Rashçes dhe Kopanicës, si dhe të rritet siguria në komunikacion.
Përfaqësuesit institucionalë theksuan se investimet në infrastrukturën lokale mbeten prioritet i Qeverisë VLEN, duke nënvizuar se zhvillimi i qëndrueshëm nis nga përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve.




