Nikoloski: Të gjitha rrugët në nivel shtetëror janë të kalueshme, nuk ka bllokime

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, informoi se në nivel të gjithë vendit të gjitha drejtimet rrugore janë të kalueshme dhe nuk ka asnjë bllokim, pavarësisht reshjeve të borës.

Gjatë një deklarate nga afër fshatit Skudrinjë, Nikoloski theksoi se aktualisht po mbulohen dy seksione kryesore, ai i Kosovrastit dhe Mavrovës, ndërsa në terren janë angazhuar të gjitha kapacitetet e ndërmarrjes publike “Makedonija Pat”, si dhe kompani private që ndihmojnë në pastrimin e borës.

“Dua t’i përgëzoj ekipet e ‘Makedonija Pat’, këta njerëz punëtorë që me përkushtim i mbajnë rrugët të pastra dhe të kalueshme. Të gjithë kamionët janë vënë në funksion dhe puna po zhvillohet pa ndërprerje,” deklaroi Nikoloski.

Ai u bëri apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve në rrugë dhe të përdorin goma dimërore, si dhe zinxhirë aty ku është e nevojshme, në përputhje me rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, me qëllim të garantimit të një trafiku të sigurt.

Sipas tij, kushtet e tilla atmosferike pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa institucionet do të jenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm për të siguruar zhvillimin normal të trafikut në të gjithë vendin, veçanërisht pas përfundimit të festave, në mënyrë që aktivitetet ekonomike të mos pengohen.

“Në fund, apeloj edhe një herë për vozitje të përgjegjshme dhe respektim të rregullave, si dhe shpreh falënderim për të gjithë ata që punojnë 24 orë në ditë për t’u përballur me këto kushte dimërore,” tha Nikoloski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit