Nikolloski: Ndërtimi i autostradave është rritur me 40%, ndërsa Ministria e Transportit ka realizim mbi 70% të investimeve kapitale.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se numri i punëtorëve në segmentet e autostradave që po ndërtohen nga konsorciumi “Bechtel dhe Enka” jo vetëm që nuk është ulur, por është rritur ndjeshëm, duke shënuar një rritje prej 40% të aktiviteteve ndërtimore.

Në një intervistë për emisionin “Samo Intervju”, ai theksoi se progresi në këto projekte matet me fakte dhe shifra konkrete, jo me perceptime vizuale. Sipas tij, në dhjetor të vitit 2024 janë realizuar punime në vlerë prej 10.7 milionë euro, ndërsa në dhjetor 2025 kjo shifër ka arritur në 19.1 milionë euro, ose rreth 9 milionë euro më shumë.

Rritje është evidentuar edhe në muajt e tjerë: në janar 2025 janë realizuar punime prej 9.7 milionë euro, ndërsa në janar 2026 kjo shifër ka arritur në 12.2 milionë euro. Në shkurt 2025 janë realizuar 8.5 milionë euro, ndërsa në shkurt 2026 rreth 13 milionë euro, duke treguar një rritje të konsiderueshme të aktiviteteve.

Nikolloski shtoi se sipas Entit Shtetëror të Statistikave, sektori i ndërtimit ka shënuar rritje prej 21% në tremujorin e tretë të vitit të kaluar dhe 16.7% në tremujorin e katërt.

Ai theksoi gjithashtu se realizimi i investimeve kapitale në Ministrinë e Transportit ka tejkaluar 70%, që sipas tij përbën një rekord historik në nivel shtetëror dhe qeveritar. Ministri shprehu shpresën se me rishikimin e buxhetit do të sigurohen mjete shtesë, duke shtuar se fondet aktuale pritet të shpenzohen plotësisht deri në atë periudhë, gjë që ai e konsideron pozitive për zhvillimin ekonomik të vendit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit