Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Manastir ka ngritur kallëzim penal kundër A.P. (68) nga Manastiri, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, si dhe kundër M.D. (60) nga Resnja, i dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i të dhënave personale”.
Sipas informatave zyrtare, A.P., në cilësinë e drejtoreshës së Institucionit Publik Shëndetësor – Spitali Special “Oteshevo”, gjatë viteve 2022 dhe 2023 ka lidhur tri kontrata pune me një person nga Resnja. Dy nga kontratat janë nënshkruar personalisht prej saj, ndërsa kontrata e tretë dyshohet të jetë nënshkruar nga një person i tretë pa autorizim. Kontratat parashihnin angazhimin e këtij personi në aktivitete ndërtimore në institucion, megjithatë, hetimet tregojnë se ai nuk ka qenë i pranishëm apo i angazhuar në punë.
Gjithashtu, A.P., duke përdorur tokenin personal për qasje në llogarinë bankare të institucionit, ka miratuar dhe nënshkruar urdhërpagesa në vlerë prej 145.904 denarësh, duke i shkaktuar dëm financiar Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, M.D., në cilësinë e avokatit dhe këshilltarit për burime njerëzore, dyshohet se ka përgatitur tri kontratat në fjalë pa pëlqimin e personit përkatës, duke përdorur të dhënat e tij personale dhe numrin e llogarisë bankare të transaksioneve. Në këtë mënyrë, janë realizuar pagesa për shërbime të paqena, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në të njëjtën shumë prej 145.904 denarësh.
SPB Manastir ka dorëzuar materialet përkatëse në Prokurorinë Themelore Publike për procedura të mëtejshme hetimore.





