Shkup, 29 janar – Prokuroria Themelore në Prilep ngriti aktakuzë kundër tetë personave fizik dhe një personi juridik për vepra penale të vazhdueshme “Përvetësim në shërbim” dhe “Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarja e marrëveshjes për furnizim publik ose partneritet privat-publik”.
Siç informon Prokuroria Publike, për veprimet e përvetësimit të parashikuar në nenin 354 të Kodit Penal janë akuzuar ish drejtoresha e IPSH Spitali i Përgjithshëm Prilep dhe tre të punësuar në spital, të cilët në periudhën nga fillimi i vitit 2022 deri në korrik 2024 në mënyrë të kundërligjshme kanë përvetësuar paratë e besuara shërbimit dhe morën përfitim të madh pronësor në vlerë të përgjithshme prej 9.605.081 denarë.
“Përmes urdhëresave fiktive për punë dhe formularë/pagesa të paguara në para të gatshme me përmbajtje të rreme për gjoja punë të kryera për nevojat e spitalit, ata u paguanin mjete personave fizik nga qarkullimi i realizuar nga pagesa e participimit për shërbime shëndetësore, pa shfrytëzimin e sistemit të DAP-it, pa marrëveshje të lidhura në vepër dhe pa dokumentacion për të justifikuar shpenzimet. Pagesat shpesh herë justifikoheshin me llogari fiskale për karburant, por edhe me llogari fiskale nga piceritë, restorantet, kafenetë, ëmbëltoret dhe objektet tjera hotelierike, përkatësisht si shpenzime që nuk ishin për nevojat e spitalit. Me qëllim që të mbulohen veprimet , në sistemin kompjuterik të kontabilitetit të spitalit kanë futur të dhëna me përmbajtje të pavërteta dhe kanë kryer korrigjime në procesverbalet e krijuara, duke futuar vlera të reja që përgjigjeshin me urdhëresat e përgatitura fiktive për punë”, qëndron në kumtesë.
Nga Prokuroria Publike informojnë se për veprimet e keqpërdorimit të procedurës për thirrje publike, ndarjen e marrëveshjes për furnizim publik ose partneritet privat-publik nga neni 275-b janë akuzuar ish drejtoresha dhe një person i sigurimit të spitalit, menaxheri dhe dy pronarë të personit juridik për sigurimin e pronës dhe personave, si dhe vetë agjencia për sigurim.
Të gjithë ata së bashku, siç theksohet, me paramendim, në dy raste, me vetëdije i kanë shkelur dispozitat për ndarje të marrëveshjes për furnizim publik, me moskryerjen e obligimeve të marrëveshjes për sigurim fizik të spitalit dhe me qëllim që ta mashtrojnë atë, dhe me këtë i kanë mundësuar personit juridik të akuzuar të realizojë interes të madh pronësor në vlerë të përgjithshme prej 6.567.538 denarë, ndërsa spitalit i është shkaktuar dëm i madh. Edhe pse kompania e angazhuar nuk i ka plotësuar obligimet e marrëveshjes, është kryer evidencë fiktive dhe shërbimet rregullisht u janë paguar pas faturave të dorëzuara.
“Përveç kësaj, ish drejtoresha e Spitalit të Prilepit është akuzuar edhe për vepra penale të vazhdueshme “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autoritetit” nga neni 353 i Kodit Penal, sepse në disa raste ndaj objekteve hotelierike – kafene dhe restorante, si dhe nga dyqaneve ka miratuar pagesën e mjeteve nga llogaria – ushqim për të sëmurët, edhe pse shërbimet e furnizuara dhe produktet nuk ishin destinuar për nevojat e pacientëve të shtruar në spital. Në këtë mënyrë e kanë dëmtuar spitalin në vlerë prej 1.439.987 denarë”, thuhet në kumtesë.
Në periudhën nga viti 2022 deri në 2024 e akuzuara ka kryer edhe pagesa të pabaza të shtesave për punë jashtë orarit të disa të punësuarve të përzgjedhur me çka buxhetin e spitalit e kanë dëmtuar në vlerë të përgjithshme plotësuese prej 1.850.895 denarë.
“Lidhur me disa nga veprimet që ishin objekt i hetimit të filluar mbi një kallëzim penal nga Drejtoria e Policisë Financiare dhe bazuar në gjetjet nga Enti Shtetëror i Revizionit, një procedurë hetimore vazhdon në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, thuhet në kumtesë.



