Vendi do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm gjatë javës që vjen, me reshje intensive të shiut në pjesën më të madhe të territorit. Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, reshjet e shiut do të nisin që nga mbrëmja e stome dhe do të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme. Sipas sinoptikëve, dita e nesërme do të shënojë reshje të dendura shiu, të cilat në disa zona mund të arrijnë mbi 30 litra për metër katror. Në zonat më të larta malore priten reshje bore.
“Pritet të bie shi mbi 30 litra për m2 dhe reshje më të dendura shiu presim në pjesën qendrore dhe lindore të vendit, pra aty do të ketë reshje mbi 30 litra për metra katrorë, në vendet tjera do të ketë më pak. Reshjet do të vazhdojnë edhe të martën pasdite, megjithatë gjatë ditës vranësirat gradualisht do të ulen, kështu që nga e marta pasdite do të kemi mot të qëndrueshëm që do të vazhdoj edhe të mërkurën. Megjithatë do të kemi një valë të re të lagështisë nga e mërkura në fund të ditës që do të zgjasë deri të enjten, por reshjet do të jenë më të dobëta, ndryshe prej atyre që do i kemi nesër”, tha Lençe Rizova.
Reshjet e shiut nuk do të ndikojnë në rënie të theksuar të temperaturave, ndaj nuk priten temperatura negative, ndërsa vlerat termike do të mbeten relativisht të larta.
“Temperaturat e mëngjesit do të jenë pozitive duke pas parasysh se do të kemi mot me vranësira, me përjashtim të mërkurës kur do të kemi mot më të kthjellët në orët e mëngjesit, ndërsa gjatë ditës ja nesër do të lëvizin në interval prej 8 deri në 12 gradë, që do të thotë do jetë relativisht ngrohët, ndërsa një ulje e vogël e temperaturave do të kemi të enjten”, u shpreh Lençe Rizova.
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut që priten, ekziston rreziku i rritjes së niveleve të lumenjve dhe liqeneve në Maqedoni, si dhe rreziku i derdhjes së tyre, Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, sidomos në zonat e rrezikuara nga reshjet e dendura.



