Doktoresha Zana Luci nga Prishtina është në mesin e shqiptarëve që po arrin suksese në Evropë. Ajo u emërua drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Klinikën “Asklepios” në qytetin Lindau të Gjermanisë, ndërsa detyrën e saj të re ajo e nisi në fillim të muajit prill.
Megjithatë, për të arritur në këtë pikë, doktoresha Luci ka përjetuar sfida të mëdha në rrugën e saj drejt suksesit. Në një intervistë ajo ka treguar se është përballur me fenomenin e bullizmit nëpërmjet rrugëtimit të saj profesional.
“Para marrjes së detyrës këtu kam qenë zëvendësdrejtoreshë në Spitalin Helios Überlingen, për një periudhë prej dy vjet e gjysmë. Para asaj, isha katër vjet kryemjeke në Spitalin e Ravensburg-it. Pengesat kanë qenë të ndryshme, duke filluar nga ato burokratike e deri te ‘bullizimi’. Fatkeqësisht të gjitha këto i kam përjetuar. Mirëpo, ka pasur edhe shumë mundësi pozitive të cilat kam synuar t’i shfrytëzoj”, është shprehur Luci.
Vazhdimi i profesionit në një vend të Evropës nuk është e lehtë thotë doktoresha, e cila pohon se se “si i huaj” e sidomos si grua, gjithnjë do të vlerësohesh ndryshe, apo më mirë me thënë do të nën-vlerësohesh.
Dallimet në sistemin shëndetësor në Gjermani dhe në Kosovë janë të shumtë, mirëpo doktoresha thotë së nuk mund të bëhen krahasime për shkak se ka dallime ndërmjet madhësisë së shteteve.
“Është vështirë të krahasohet sistemi gjerman me atë në Kosovë, së pari për shkak të madhësisë të shtetit dhe numrit të popullsisë. Mos të harrojmë se Kosova është dashtë me punu me një sistem shëndetësor paralel gati gjatë gjithë viteve të nëntëdhjeta, kurse tek pas luftës filloi pavarësimi në shëndetësi”
