Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, këtyre ditëve ka takuar bashkëluftëtarët e tij nga Kumanova, Shkupi dhe të gjitha trevat e tjera shqiptare, duke rikujtuar rrugëtimin e përbashkët të luftës për liri dhe vizionin për të ardhmen e Kosovës, shkruan agjencia e lajmeve INA.
Në listën e AAK-së për deputetë, Haradinaj ka përfshirë edhe gjeneralin e njohur dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, si dhe shumë personalitete të tjera të jetës politike e publike.
I njohur për lidhjet e tij miqësore në Pentagon dhe Uashington, Haradinaj ka theksuar se misioni i tij strategjik mbetet anëtarësimi i Ushtrisë së Kosovës në NATO. “Ai e bëri ushtri, tani synon NATO-n”, është mesazhi që përcjell lideri i AAK-së në këto takime.
Haradinaj njihet gjithashtu si kontribuues kyç i Ligjit për Trepçën dhe i proceseve që çuan drejt pavarësimit energjetik të Kosovës, duke i dhënë vendit themele më të forta ekonomike dhe strategjike.
Ndonëse sot rikujton të kaluarën e lavdishme të luftës dhe takon bashkëluftëtarët, Haradinaj është ndër politikanët që i njeh më së miri pasojat e luftës, pasi ka humbur shumë anëtarë të familjes së tij. Pikërisht për këtë arsye, ai zotohet për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin, në një kohë kur çdo konflikt i ri në rajon do t’u shërbente vetëm atyre që nuk ia duan të mirën shqiptarëve.
Edhe pse ka zëra që pretendojnë se Haradinaj po lufton vetëm për të kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e 28 dhjetorit, bashkëpunëtorët e tij theksojnë se kjo nuk është beteja e vërtetë e liderit të AAK-së. Beteja e tij, thonë ata, është një Kosovë më e sigurt, krah për krah me aleatët strategjikë të saj. (INA)





