Në seancën e nesërme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, anëtarët e Këshillit duhet të zgjedhin shefin e Prokurorisë Publike të Shkupit, pasi i ka përfunduar mandati drejtuesit aktual të kësaj prokurorie, Gavril Bubevski. Sipas listës së publikuar të kandidatëve, në garë janë pesë prokurorë: drejtuesi aktual Bubevski, Tanja Trajçevska, Anel Fidoski, Dejan Petreski dhe Spasenka Andonova.
Për publikun, më i njohuri është prokurori Bubevski, i cili ka qenë pjesë edhe e Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Prokurori, me përvojë 16 vjet e gjysmë, konsiderohet si jurist i shkëlqyer dhe, sipas një pjese të madhe të kolegëve, është dëshmuar edhe si menaxher shumë i mirë.
Prokuroria e Shkupit është më e madhja në vend, me numrin më të madh të lëndëve dhe prokurorëve, ndërsa kompetencat e saj u zgjeruan edhe më tej gjatë drejtimit të Bubevskit. Si rezultat i ndryshimeve në Kodin Penal, një pjesë e konsiderueshme e lëndëve për keqpërdorim të mjeteve buxhetore kaluan nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Shkupit, duke rritur ndjeshëm edhe vëllimin e punës. Gjatë mandatit të tij filloi punën edhe Qendra Hetimore e kësaj prokurorie, me 13 hetues, si dhe u hap Departamenti për Krim të Rëndë dhe Kompleks.
Prokuroria e Shkupit mund të mburret edhe me transparencë të lartë, pasi në periudhën 2022–2025 konsiderohet si prokuroria më transparente në shtet.
Prokurorja Tanja Trajçevska ka përvojë 12 vjet e gjysmë. Ajo e ka udhëhequr lëndën për vrasjen e hendbollistit Denis Tot dhe po ashtu drejton hetimin për vdekjen e Ljupço Leshko.
Anel Fidoski, me 11 vjet përvojë, si prokuror në Prokurorinë e Shkupit është i njohur për disa raste që kanë qenë në fokus të opinionit publik, ndër të cilat edhe ndjekja penale e të akuzuarve për vrasjen e Nikolla Sazdovskit, anëtar i grupit “Komiti”. Ai e trashëgoi gjithashtu lëndën shumëvjeçare gjyqësore “Pjesë tankesh”, në të cilën një nga të akuzuarit ishte edhe ish-kryeministri Vlado Buçkovski. Pas një gjykimi maratonik, në një nga seancat, prokurori Fidoski ndryshoi qëndrimin dhe e rikualifikoi veprën penale në fund të procesit, çka çoi në parashkrimin e rastit. Ky veprim u arsyetua nga prokurori me faktin se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte paraqitur dëm material të konsiderueshëm. Prokurori Fidoski e ka përfaqësuar edhe rastin e vajzës së vogël Tamara, i cili gjithashtu u parashkrua pas rikualifikimit të veprës penale në fjalën përfundimtare. Aktualisht, tek ky prokuror është në punë edhe lënda për “Usje”, pas kallëzimit penal të paraqitur nga ish-kryetarja e Komunës së Shkupit, Danela Arsovska.
Prokurori Dejan Petreski, ndër kandidatët e paraqitur, ka përvojën më të vogël – 6 vjet. Ai është prokuror i angazhuar në lëndë që lidhen me sulme ndaj gazetarëve dhe ka udhëhequr edhe lëndën për depërtimin në M-NAV. Megjithatë, ai njihet më së shumti për lëndën e zjarrit në spitalin modular në Tetovë.
Me përvojën më të madhe, prej 20 vjetësh, është prokurorja Spasenka Andonova. Ajo ka qenë pjesë edhe e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe ka udhëhequr lëndën “Dvojnik”, që lidhej me lëshimin e paligjshëm të pasaportave për kriminelë të huaj. Ajo së fundmi kishte konkurruar për prokurore publike më të lartë, por nuk u zgjodh.



