Nesër protestojnë sindikatat, kërkojnë rritjen e pagës minimale

Rrugët e Shkupit nesër pritet të pushtohen nga sindikalistët dhe puntorët, të cilët do të kërkojnë rritje të pagës minimale në 600 euro. Protesta do të fillojë nga ora 17:00, e cila do të nisë nga objekti i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë dhe do të përfundojë tek Qeveria. Protestës pritet t’i bashkohen edhe sindikatat nga arsimi, kultura, mediat, industria, tregtia, policia dhe sektorë të tjerë.

Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, tha se protesta është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj pagave të ulëta dhe gjendjes së rëndë ekonomike të punëtorëve.

SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË

28 janari është dita kur flasin punëtorët. Kjo protestë nuk është çështje rehatie apo kohe, por çështje ekzistence. Paga nuk mjafton nga muaji në muaj dhe, nëse nuk luftojmë vetë për të, askush tjetër nuk do ta bëjë këtë”.

Nga LSM kërkojnë përcaktimin e një page minimale prej 600 euro për çdo punëtor, si dhe rritje lineare shtesë prej 100 euro për të gjitha pagat e tjera.

Ndërkaq, në lidhje me këtë, kryeministri Hristijan Mickoski, thotë se paga minimale, sipas ligjit, do të rritet në mars, pra me pagën që punëtorët do të marrin në prill. Megjithatë, ai tha se secili ka të drejtë të protestojë.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

Ne thamë se do të mbështesim çdo zgjidhje që do të arrihet në atë dialog dypalësh midis sindikatave dhe punëdhënësve”.

Mbështetje për protestën ka paralajmëruar edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatikë. Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të SPGM-së, ku u bë thirrje anëtarësisë për mbështetje të plotë të kërkesave për rritjen e pagës minimale, por edhe të të gjitha pagave të tjera. Ata thonë se arsyet për këtë vendim janë të qarta, veçanërisht në industrinë e mediave, e cila vitet e fundit ka pësuar rënie të vazhdueshme të të ardhurave të punonjësve të angazhuar në media, si dhe të kushteve të punës.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit