Me rastin e Ditës Botërore të Goditjes në Tru – 29 tetor, Klinika Universitare e Neurologjisë organizon nesër një ditë të hapur për qytetarët me qëllim ndërgjegjësimin, njohjen e simptomave, diagnozën e hershme dhe trajtimin në kohë të goditjes në tru nën moton “Goditja në tru trajtohet”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në kuadër të këtij aktiviteti, më 28 tetor 2025 (e martë), do të kryhet kontroll falas me dopler të arterieve karotide për të gjithë qytetarët e interesuar, pa pasur nevojë për udhëzim mjekësor, në periudhën nga ora 10:00 deri në 12:00, në ambientet e Klinikës së Neurologjisë.
Përmes këtij aktiviteti, Klinika përcjell një mesazh për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe menaxhimit të faktorëve të rrezikut që mund të çojnë në goditje në tru, siç janë: tensioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i sheqerit në gjak, yndyrat e shtuara, pirja e duhanit dhe mënyra joaktive e jetesës.
Ftojmë të gjithë qytetarët e interesuar ta vizitojnë këtë aktivitet, të informohen dhe të kontrollojnë gjendjen e tyre shëndetësore, pasi zbulimi i hershëm është çelësi për parandalim dhe shpëtim jete”, thonë nga MSH.





