Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se nga nesër fillon aplikimi për realizimin e të drejtës për vakt studentor të subvencionuar për vitin akademik 2025–2026.
Në thirrjen e publikuar nga MASH janë të përcaktuara kushtet dhe mënyra e aplikimit. Afati për paraqitje për studentët aktualë dhe ata që do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2025/2026 është deri më 5 shtator 2025.
Mbështetja financiare në shumën 140 denarë është e dedikuar për blerjen e ushqimit, dhe studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna në të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqim. Nuk parashikohet pagesë gjatë pushimit veror nga 1 korriku deri më 1 tetor.
Aplikimi realizohet në mënyrë elektronike përmes portalit https://e-uslugi.mon.gov.mk/, dhe në thirrje mund të paraqiten të gjithë studentët e rregullt të regjistruar në ciklin e parë, përkatësisht ciklin e dytë të studimeve, si dhe në studime të integruara në universitetet publike dhe private në shtet. Aplikuesit duhet të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të mos kenë të ardhura mujore, nga çfarëdo baze, më të larta se paga minimale neto në vitin aktual.
Gjatë dorëzimit të aplikacionit, studentët detyrimisht ngarkojnë të plotësuara dhe të nënshkruara format Aplikim për fitimin e së drejtës për vakt studentor të subvencionuar dhe Deklaratë për saktësinë e të dhënave të futura në aplikim për fitimin e së drejtës për vakt studentor të subvencionuar. MASH, sipas detyrës zyrtare, siguron të gjitha provat e tjera për përmbushjen e kushteve, të cilat i posedojnë MPB, DAP dhe shërbimet studentore të fakulteteve.
Çdo aplikues që ka nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë gjatë aplikimit për realizimin e të drejtës për vakt studentor të subvencionuar, mund t’i drejtohet Sektorit për standardin e nxënësve dhe studentëve përmes kontaktit vijues: [email protected], njofton MASH.
Për realizimin e pagesave për vaktin studentor të subvencionuar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar marrëveshje me Sparkasse Banka AD Shkup. Të gjithë studentët që do ta fitojnë këtë të drejtë – për çka do të njoftohen nga MASH me rrugë elektronike – do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje me Sparkasse Banka për hapjen e një llogarie të veçantë, të lidhur me një kartelë të dedikuar pagese.
Mundësia për aplikim për realizimin e së drejtës për vakt studentor të subvencionuar do të jetë e hapur nga 1 deri më 5 të çdo muaji të vitit akademik 2025/2026, për paraqitjen e studentëve që nuk e kanë realizuar të drejtën sipas Thirrjes Publike ose të atyre të cilëve u ka pushuar e drejta për shkak të mosplotësimit të ndonjë kriteri, në momentin kur i plotësojnë sërish, informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës.






