1.8 C
Skopje
Tuesday, December 2, 2025

Nëse paguani gjobën brenda 8 ditëve, do ta paguani vetëm gjysmën! Gjobat nga “Safe City” do të vlejnë edhe për shtetasit e huaj, pritet zgjerim i shkeljeve që do të regjistrojë sistemi

Gjoba dhe sanksione të tjera janë parashikuar për shkeljet në trafikun rrugor që do të konstatohen nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, i cili ka filluar të funksionojë në periudhë prove që nga dita e djeshme. Njoftimet për shkeljet e kryera qytetarët do t’i marrin përmes mesazheve SMS në telefonin celular dhe në adresën elektronike, ndërsa afati për pagesë është tetë ditë. Vetëm në 12 orët e para nga fillimi i “Qytetit të Sigurt” dje janë regjistruar 65.000 shkelje, prej të cilave 2.800 për kalim në semafor me të kuqe dhe 1.000 për automjete të paregjistruara.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për sigurinë në trafikun rrugor, shkeljet e dokumentuara me mjete teknike – kamera, sensorë dhe pajisje incizuese – konsiderohen provë e vlefshme, thekson Ministria e Punëve të Brendshme, pasi ka filluar periudha njëmuajshe provuese për përdorimin e sistemit “Qyteti i Sigurt”, në të cilin kryesit e shkeljeve të trafikut marrin njoftim për shkeljen e kryer.

Sipas dispozitave të Ligjit për sigurinë në trafikun rrugor, MPB, ndër të tjera, ushtron kontroll mbi shoferët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Kontrolli bëhet përmes vëzhgimit të drejtpërdrejtë me përdorimin e mjeteve teknike përkatëse dhe me ndryshimet e fundit në ligj, shkeljet do të dokumentohen me mjete teknike dhe pajisje incizuese. Kryesit e shkeljeve të dokumentuara përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” do të sanksionohen sipas dispozitave që rregullojnë shpejtësinë maksimale të lejuar të lëvizjes së automjeteve, dhe, sipas MPB-së, nuk do të ketë tolerancë, pa marrë parasysh nëse shkelja dokumentohet brenda qytetit apo jashtë tij.

Gjatë periudhës provuese do të regjistrohen shkeljet e trafikut si: drejtimi i automjetit me shpejtësi mbi të lejuarën, kalimi në semafor të kuq, skadimi i afatit të vlefshmërisë së lejes së qarkullimit (regjistrimit) dhe parkimi i parregullt i automjeteve. Në fazën tjetër të projektit planifikohet zgjerimi i llojeve të shkeljeve që do të regjistrojë sistemi elektronik.

Për shkeljet e dokumentuara përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, pronarit të automjetit me të cilin është konstatuar shkelja, MPB i dërgon mesazh SMS në telefonin celular dhe në adresën elektronike, të dhëna që pronari i automjetit i ka dhënë gjatë regjistrimit, me një link për të shkarkuar procesverbalin e shkeljes së kryer dhe me urdhërpagesë për gjobën.

Nëse kryesuesi merr përgjegjësinë për shkeljen e kryer brenda tetë ditëve nga dita e marrjes së procesverbalit me urdhërpagesë, do të paguajë gjysmën e gjobës së caktuar.

Nëse ka kaluar afati prej tetë ditësh për të paguar gjysmën e gjobës, mund të paguajë shumën e plotë të gjobës së caktuar brenda tetë ditëve nga skadimi i afatit për pagesën e gjysmës së gjobës, dhe para fillimit të procedurës së ekzekutimit. Kur të kryhet pagesa e gjobës brenda afateve të dhëna, mbulohen edhe kostot e tërë procedurës.

I huaji, si dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që me largimin për shkak të qëndrimit jashtë vendit mund të shmangin pagesën e gjobës, është i detyruar menjëherë, dhe së paku brenda tetë ditëve nga dita e marrjes së procesverbalit me urdhërpagesë, të paguajë gjobën e caktuar. Nëse kryesuesi nuk e ka paguar gjobën, Ministria e Punëve të Brendshme do ta dërgojë tek organi kompetent për ekzekutim të detyrueshëm. Për shkelje për të cilat përveç gjobës parashikohet edhe sanksioni i ndalimit të drejtimit të automjetit, dhe nëse kryesuesi e ka paguar gjobën brenda afateve të përcaktuara dhe për shkelje të vlefshmërisë së patentës, MPB do të dorëzojë kërkesë për nisjen e procedurës kundërvajtëse në gjykatën kompetente.

Gjoba mund të paguhet elektronikisht përmes linkut që kryesuesi i shkeljes do ta marrë me njoftimin. Në këto raste, është e nevojshme që në formularin e pagesës të futet automatikisht numri i procesverbalit dhe shuma e gjobës në denarë. MPB menjëherë merr njoftim elektronik se gjoba është paguar.

Kujtojmë se gjobat do të shqiptohen me shkeljet që do të bëhen nga 1 janari.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit