Neritan Ceka, gjashtë dekada për arkeologjinë

Me rastin e 85-vjetorit të lindjes të prof. dr. Neritan Cekes, Akademia e Shkencave organizoi ditën e djeshme, veprimtarinë jubilare “Profesor Neritan Ceka në 85-vjetorin e lindjes. Gjashtë dekada për arkeologjinë”.

Veprimtaria nisi me tinguj muzikorë të interpretuar nga pianistja e njohur Rudina Ciko.

Fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave e mbajti akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Ai e vlerësoi prof. dr. Cekën si një prej figurave më përfaqësuese të arkeologjisë shqiptare dhe të jetës akademike e publike në vendin tonë.

Akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë (ASHSH) mbajti kumtesën me temën “Neritan Ceka dhe gjeneratat arkeologjike në vitet ‘70”.

Neritan Ceka është përfaqësues i spikatur i brezit të dytë të arkeologëve shqiptarë, krahas arkeologëve të tjerë të kësaj gjenerate si M. Korkuti, B. Jubani, Zh. Andrea, A.Baçe, A. Meksi, S. Aliu, dhe më vonë D. Komata, F. Drini, N. Bodinaku, A. Koka etj.

Gjatë 6 dekadave të kontributit të tij në arkeologji prof. dr. Ceka ka hedhur dritë në shtrirjen e kulturës qytetare ilire në pjesën më të madhe të territorit që banohej në antikitet nga popullsia ilire, duke e lidhur ngushtë me shpjegimin e fillimit të tyre, si dhe me problemin e gjenezës së jetës qytetare tek ilirët.

Veprimtaria e tij studimore është përqendruar në kërkimet mbi qytetet antike ilire, lindjen dhe gjenezën e qytetërimit ilir dhe historinë e shtetit tek ilirët. Ai ka kryer një numër të konsiderueshëm gërmimesh në mjaft qendra antike të Shqipërisë. Përmes gërmimeve në Belsh, Margëlliç dhe Mashkjezë, ai dëshmoi praninë e një periudhe protourbane në shek. VII-V para Kr., që paraprin formimin dhe lulëzimin e qyteteve ilire në shek. IV-III para Kr.

Prof. dr. Neritan Ceka vlerësohet si zbulues i monumenteve të Bylisit, së bashku me prof. dr. Skënder Muçaj.

Gjatë një periudhe 60-vjeçare ai ka dhënë kontribut në fushën e arkeologjisë prehistorike e të arkeologjisë ilire, duke e zgjeruar fushën e studimeve mbi qytetin ilir.

Dy kolegët, akad. Apollon Baçe e prof. dr. Skënder Muçaj nëpërmjet kujtimeve shprehën respektin e thellë për personalitetin prof. dr. Cekës si mik, shok e bashkëpunëtor dhe më tej edhe për kontributin, bashkëpunimet në fushën e arkeologjisë. Ata vlerësuan mbi të gjitha përkushtimin e prof. Cekës në kërkimin dhe studimin e objekteve arkeologjike dhe të gjurmëve të historisë së antikitetit, me një tërheqje të fortë drejt qytetit të madh të Bylisit, duke zbuluar teatrin, stadiumin, shëtitoret, gjimnazin dhe disa nga hyrjet dhe kullat e fortifikimeve të qytetit ilir, duke vlerësuar më tej edhe ekspeditat dhe gërmimet në Butrint, të cilave u është kthyer edhe sot.

Ata e vlerësuan prof. dr. Cekën si degë të një dinastie të arkeologjisë shqiptare, që nis me babanë e tij Hasan Cekën, një nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare, duke vijuar me të bijën dr. Orgita Cekën./atsh/KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit