Në vitin 2026 praktikisht rikthehen vizat / 20 euro për hyrje në BE?

Shkup, 2 janar – Në vitin 2026 do të hyjë në fuqi një tjetër sistem i ri për hyrje në Bashkimin Evropian – ETIAS. Në tetor të vitit 2025 ka nisur zbatimi gradual i Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES) dhe, pas zbatimit të plotë të tij, do të pasojë sistemi i ri ETIAS.

Sistemi elektronik i hyrje-daljeve (EES) ende nuk funksionon në të gjitha pikat kufitare, por pritet që zbatimi i tij i plotë të realizohet më 10 prill 2026.

Pas vendosjes së EES në të gjitha pikat kufitare, do të pasojë sistemi ETIAS, i cili do të nënkuptojë lëshimin e një leje udhëtimi, e detyrueshme për hyrje në vendet e Bashkimit Evropian.

Çfarë është ETIAS?

Leja e udhëtimit ETIAS do të jetë kusht hyrjeje për shtetasit e vendeve që janë të përjashtuar nga viza dhe që udhëtojnë në cilëndo nga 30 vendet evropiane.

Leja do të lidhet me pasaportën e udhëtarit dhe do të jetë e vlefshme deri në tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës – cilado që ndodh më herët. Nëse merrni një pasaportë të re, do të duhet të aplikoni sërish për një leje të re ETIAS.

20 euro për hyrje në BE

Lëshimi i lejes ETIAS do të kushtojë 20 euro. Kjo tarifë nuk do të aplikohet derisa ETIAS të fillojë zyrtarisht funksionimin, që sipas të dhënave zyrtare është planifikuar për tremujorin e fundit të vitit 2026.

Megjithatë, leja ETIAS nuk garanton automatikisht hyrjen. Me mbërritjen në kufi, oficeri kufitar do t’ju kërkojë të paraqisni pasaportën dhe dokumente të tjera dhe do të verifikojë nëse i plotësoni kushtet për hyrje.

Aplikimi për leje ETIAS

Aplikimi për ETIAS pritet të bëhet përmes faqes zyrtare të ETIAS ose përmes aplikacionit mobil ETIAS. Kostoja e aplikimit do të jetë 20 euro, ndërsa disa kategori udhëtarësh do të jenë të përjashtuar nga pagesa e tarifës.

Gjatë gjithë qëndrimit tuaj në vendet evropiane ku kërkohet ETIAS, duhet të keni një leje udhëtimi ETIAS të vlefshme.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit