Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore, prof. dr. Sadudin Ibraimi, sot në Tetovë nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit të Evropës Juglindore.
Me këtë Memorandum vendoset dhe forcohet bashkëpunimi institucional me qëllim mbështetjen e procesit të transformimit digjital dhe modernizimit të sistemit shëndetësor në vend.
“Bashkëpunimi parashikon shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, realizimin e projekteve shkencore-kërkimore dhe aplikative, edukimin dhe avancimin profesional të kuadrove, si dhe aktivitete të përbashkëta në fushën e zbatimit të shkencave informatike dhe teknologjive bashkëkohore në shëndetësi. Me këtë partneritet konfirmojmë përkushtimin tonë për përmirësimin e cilësisë, efektin dhe efikasitetin e shërbimeve shëndetësore, përmes integrimit të njohurive akademike dhe kapaciteteve institucionale në interes të qytetarëve”, theksoi ministri Aliu gjatë nënshkrimit të memorandumit.




