Në Shqipëri vazhdon situata kritike pas përmbytjeve të fundit, në Qarkun e Durrësit Qindra persona janë evakuuar

Shqipëria ka hyrë në ditën e gjashtë të përmbytjeve, ku situata vijon të jetë e vështirë në disa zona. Qarku i Durrësit ka qenë një ndër më të prekurit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.
Sipas njoftimit të autoriteteve në Bashkinë e Durrësit janë evakuuar 848 banorë dhe vazhdon puna për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga uji nëpër banesa. Në Sukth 2800 hektarë tokë ndodhen ende nën “pushtetin e ujit”. Gjatë natës dhe në vazhdim ne qarkun Fier ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët. Pas 5 ditësh në “pushtetin” e ujit zona më problematike në qark vazhdon të jetë ajo e Kurbinit, ku konkretisht fshati Adriatik vijon të ketë probleme edhe pse një pjesë e urës së dëmtuar, e cila sillte prurje të mëdha uji në anën veriore të fshatit është riparuar përkohësisht.

Në Qarkun e Gjirokastrës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet. Aksi kombëtar Gjirokastër- Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë vazhdon të jetë i kalueshëm me një drejtim dhe lëvizja e automjeteve menaxhohet nga pjesëtarët e policisë. Në Vlorë, vijojnë prurjet e lumit Vjosë. Gjatë ditës së sotme, niveli i Vjosës ka zbritur në rreth 5.5 metra mbi nivelin e detit dhe lumi është rikthyer në shtratin e tij, duke mos përbërë më rrezik për zonën. Megjithatë, pasojat e përmbytjeve janë ende evidente në disa shtëpi. Në njësinë administrative Novoselë janë prekur rreth 13 shtëpi, ndërsa në fshatin Bishan janë raportuar rreth 15 shtëpi te cilat kane pasur prezencë uji ne oborre dhe në disa ka hyrë uji brenda. Në Qarkun e Korçës vijojnë problematikat e lidhura kryesisht me furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën rrugore si pasojë e kushteve atmosferike. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit