Qytetarët e Shkupit sot votojnë për herë të tetë për pushtetin lokal, duke zgjedhur kryetarin e Qytetit të Shkupit, anëtarët e Këshillit të Qytetit si dhe kryetarët dhe këshillat e dhjetë komunave që përbëjnë territorin e kryeqytetit, informon PressOnline.al
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote në Shkup kanë 474.616 qytetarë, të shpërndarë në 1.157 vendvotime.
Në garë për kryetar të Qytetit të Shkupit janë 16 kandidatë, ndërsa vetëm një prej tyre është grua. Për Këshillin e Qytetit të Shkupit garojnë 19 lista me gjithsej 855 kandidatë.
Në komunat e Shkupit – Aerodrom, Butel, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Vodë, Saraj, Çair, Shuto Orizarë dhe Qendër – qytetarët votojnë gjithashtu për kryetarët komunalë dhe këshillat komunalë përkatës.
Çdo votues në Shkup merr katër fletëvotime: dy për zgjedhjet në nivel të qytetit (për kryetar dhe këshillin e Qytetit të Shkupit) dhe dy për komunën ku banon (për kryetar komune dhe këshillin komunal).
Në disa nga komunat me shumicë shqiptare, si Çairi, Saraji dhe Buteli, në garë janë figura të njohura të politikës shqiptare, ndërsa në komunat si Karposhi dhe Aerodromi garojnë emra të njohur nga politika maqedonase.
Procesi i votimit zhvillohet nga ora 7:00 deri në 19:00. Nëse ka ndërprerje për më shumë se një orë, votimi zgjatet për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja, por jo më shumë se tre orë.
Pas mbylljes së vendvotimeve, materialet zgjedhore dhe procesverbalet dorëzohen në Komisionet Komunale Zgjedhore dhe në Komisionin e Qytetit të Shkupit, brenda pesë orëve pas përfundimit të procesit.
Nëse asnjëri nga kandidatët për kryetar nuk arrin shumicën e nevojshme në raundin e parë, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor.