“Nga muaji prill punonjësit e sektorit shëndetësor do të përfitojnë një rritje pagash prej 5 deri në 7 përqind, si pjesë e një marrëveshjeje afatgjatë që parashihet të mbetet në fuqi deri në vitin 2028”.
Kjo është bërë e ditur dje nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë seancës parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve.
Qeveria siç mësohet tashmë ka rritur pikëvleftën e kapitacionit për mjekët familjarë, gjinekologët dhe dentistët, ndërkohë që buxheti i përgjithshëm për shëndetësinë këtë vit kap shifrën e afro një miliard eurove, ku janë llogaritur plotësisht rritjet e parashikuara të të ardhurave.
Përveç përmirësimit të statusit ekonomik të stafit mjekësor, po ashtu bëhet editur se pas një periudhe të gjatë kohore janë shtuar barna të reja në listën pozitive dhe kanë nisur procedurat për investime serioze në infrastrukturën shëndetësore në mbarë vendin. Mickoski shprehu bindjen se me angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor, sfidat po marrin zgjidhje, ndërsa denoncoi publikisht edhe rastet e abuzimeve me raportimin e kujdestarive, ku sipas tij, individë të caktuar kanë përfituar mbi 10,000 euro në muaj përmes manipulimeve me orët e punës. (INA)



