Në ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10D, të cilat po realizohen nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”, gjatë muajit nëntor 2025 kanë qenë të angazhuar gjithsej 2.131 persona, përfshirë punonjës të kontraktorit kryesor, nënkontraktorëve, ofruesve indirektë të shërbimeve dhe kontraktorëve të specializuar. Sipas Raportit të Mbikëqyrjes për progresin e punimeve, të publikuar nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore në terren janë përdorur gjithsej 1.290 njësi pajisjesh.
Sipas raportit, gjatë nëntorit të vitit të kaluar kontraktorit i janë paguar një miliardë e 150 milionë denarë. Në këtë periudhë janë kryer kryesisht hulumtime gjeoteknike, projektim dhe përgatitje të specifikimeve teknike për autostradat, projekte për shpronësim, menaxhim të përkohshëm të trafikut, si dhe prishje dhe largim të objekteve ekzistuese. Po ashtu, janë realizuar punime ndërtimore që kanë përfshirë punime tokësore, drenazh dhe ndërtim objektesh.



