Në Maqedoninë e Veriut për një ditë u arrestuan pesë persona për dhunë në familje

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arritur të arreston pesë persona, nga gjashtë rastet e denoncuara për dhunë në familje, transmeton Portalb.mk.

“Po merren masa për zbardhjen e rasteve dhe pas dokumentimit të plotë të tyre, kundër kryerësve do të ngrihen kallëzime përkatëse”, deklaroi Policia.

Në Gostivar u arrestua 27 vjeçari J.Z., pasi u raportua nga gruaja e tij për shkak kërcënimeve ndaj nënës së saj në rrjetet sociale. Për dhunë ndaj gruas së tij, në Manastir u arrestua 33 vjeçari.

Në Kriva Pallankë ishte arrestuar 18 vjeçari pasi e ishte sulmuar prindin e tij, ndërsa 49 vjeçari ishte arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht një 16 vjeçar, i cili është djali i bashkëshortes së tij.

Në Ohër, burri 44 vjeçar ishte arrestuar pasi e kishte sulmuar gruan dhe fëmijën e tyre.

“Më 10.03.2026 në orën 14:30 në NJPB Prilep, një grua 45-vjeçare nga Prilepi ka denoncuar se në shtëpinë familjare në Prilep ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj E.Sh.”, raportoi Policia, duke treguar se akoma nuk është arrestuar i dyshuari.

Në Maqedoninë e Veriut planifikohet ndryshimi i tetë ligjeve në kuadër të Trupit koordinues kombëtar për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Komisioni për këtë arsye dje (10 mars) ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Tragjedia në Karposh ndodhi më 2 mars, kur nëna Ivana dhe vajza e saj gjashtëvjeçare Katja humbën jetën pasi ranë nga ballkoni i katit të gjashtë të ndërtesës ku jetonin.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski të nesërmen deklaroi në konferencë për shtyp se policia kishte qenë në vendngjarje rreth dy orë para tragjedisë, pasi në orën 12:05 ishte pranuar një denoncim për një grindje. Policia kishte mbërritur në 12:19 dhe kishte biseduar me gruan, e cila atëherë kishte nënshkruar një deklaratë se nuk kishte pasur kontakt fizik mes saj dhe bashkëshortit dhe se nuk kërkonte fillimin e procedurës.

Sipas Toshkovskit, policia posedon edhe një video incizim nga e njëjta ditë, ku shihet i dyshuari duke e goditur viktimën. Ai informoi se i dyshuari më parë ishte raportuar për dhunë në familje dhe kishte një histori kriminale me dhjetë kallëzime penale për dhunë, vjedhje dhe tregti me drogë.

Pas tragjedisë, fqinjët dhe të afërmit e së ndjerës deklaruan publikisht se dhuna në familje ishte raportuar për vite me radhë, por institucionet nuk kishin reaguar siç duhet. Vëllai i viktimës shkroi në rrjetet sociale se “pas viteve të raportimit të dhunës familjare, dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të dyjave, kërcënimeve, denoncimeve dhe një tentative për vrasje në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën”, duke akuzuar se sistemi kishte dështuar t’i mbrojë.

Pavarësisht ndryshimeve në Kodinin Penal në janar të këtij viti, sipas të cilave MPB duhet të veprojë ndaj denoncimeve për dhunë në familje edhe kur viktima nuk nis procedurë, policia sipas kritikëve nuk po i zbaton këto risi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit