16.8 C
Skopje
Wednesday, October 22, 2025

Në kujtim të Hafëz Sadudinit

Hafëz Sadudini, rahmetullahi alejhi, ka marrë pjesë nëpër gara të ndryshme të Kur’anit edhe si lexues, edhe si anëtar komisioni, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë dhe gjetiu. Ai e ka përjetuar atë thënien popullore se, ‘njeriu asnjëherë nuk vlerësohet në vendin e tij’, që është një dëshmi e gjallë me të vërtetë: popullata jonë nuk ia kanë ditur dhe nuk do t’ia dinë vlerën asaj që është e vërtetë përparimtare për vendin dhe shpëtim për kohën

Nga Ismail BARDHI

E kemi vështirë me historinë, thuajse jemi pa të, për arsye se ajo shkon e vjen ose vjen e shkon e ne qëndrojmë larg saj, për arsye “të thjeshtë”: nuk e regjistrojmë dhe atë duke u bazuar në thënien tonë se ne nuk harrojmë, mirëpo harresa ka qenë dhe është “fuqia” më dënuese për njeriun. Rahmetli hafëz Sadudini më detyroi ta përmirësoj vetveten, edhe pse nuk është më me ne, disi duke ma tërhequr vërejtjen të jem i kujdesshëm rreth kësaj – mjaft më. Faktikisht, këtë vërejtje e ndjeva për arsye se e kisha harruar datën se kur na la rahmetli hafëz Sadudini dhe në çast e thirra të birin, dr. Saitin, dhe e pyeta a është shkruar diçka për babanë e tij? Më tha: “Jo, nuk është shkruar gjë”!

Hafëz Sadudini, apo siç e njihnin të gjithë si hafëz Sada, ka qenë talebe/nxënës i rahmetli hoxhë Idriz ef. Sulejmanit, i cili ishte imam i xhamisë Tutunsëz. Natyrisht se ai kishte edhe talebe të tjerë që e mësonin përmendësh Kur’anin, hifzin, dhe ky ishte ndër të parët që në kohën e vështirë e ringjalli kulturën e mësimit dhe përgatitjes së hafëzëve. Përpos hafëz Sadës, i cili e kreu hifzin në moshë fëmijërore, kishte edhe disa djem të tjerë që i ndiqnin mësimet te ky hoxhë, ndër të cilët edhe hfz. Abdurrahimi, djali i hafëz Pajazitit, xhaxhai i hafëz Sadës. Faktikisht, këta ishin dy hafëzët e parë në Shkup në kohën e vështirë, ose në kohën e Jugosllavisë. E ndjej si obligim të pranoj se kur e thirra të birin, Saitin, u gëzova të dëgjoj që ishte bërë mjek, por kur më tha se askush nuk kishte shkruar për babanë e tij dhe se shumë shpejt ka filluar të harrohet – ndjeva keqardhje.

Është e vërtetë se asokohe në Shkup nuk ishin të hapura të gjitha xhamitë, vetëm pak sosh ishin funksionale, faktikisht edhe tërmeti ishte “i mirëseardhur” për arsye se i pati dridhur dhe i pat lënë jashtë përdorimit disa xhami edhe sikur të kishin qenë funksionale, sepse ose nuk kishte besimtarë, ose kishte por ishin frikacakë – ishte diçka paradoksale. Nga xhamitë funksionale ishin ato të Isa Beut, Jahja Pashës, Sulltan Muratit, Murat Pashës, Allaxhës, Ballabanit dhe Jelen Kapanit, e cila u rrënua diçka më vonë. Edhe sot për fat të keq ky vend është i dënuar me ndarjen e “drejtësisë” me gjykatën që është ndërtuar mbi të.

Në atë kohë, siç thashë më sipër, ndër hoxhallarët që përgatisnin talebe për hifz ishte rahmetli Idriz ef. Sulejmani i xhamisë Tutunsuz dhe rahmetli hafëz Idriz ef. Idriz i xhamisë së Jelen Kapanit dhe më pas i Allaxhës. Edhe njëri edhe tjetri kishin filluar ta rikthenin këtë kërkesë që burimin dhe vendin e ka në parajsë, mendoj për mësimin përmendësh të Kur’anit – hifzin. Nuk është shaka me këtë, Kur’ani si libër është i vetmi i cili mësohet përmendësh edhe nga fëmijët, duke filluar nga mosha 5-vjeçare e tutje. Rahmetli hafëz Sada ishte nga ata që e përjetoi hijen e Fjalës së Zotit duke e mësuar dhe duke e ushtruar/përsëritur pandërprerë atë në jetën e tij deri në çastin e fundit. Të gjithë kur e përmendin emrin e hafëz Sadës e kanë parasysh Kur’anin. Edhe unë e kam dashur dhe e dua edhe sot në formë tjetër, se kur më paraqitej ose e shihja këtë hafëz të madh së pari e përjetoja thirrjen e tij: mos u largoni nga Kur’ani, mos lejoni ta harroni atë. Rahmetliu ishte hafëzi i cili filloi dhe e përfundoi jetën duke lexuar hatme në namaz, duke i mësuar edhe fëmijët që ta lexojnë dhe të jenë të kujdesshëm ndaj Kur’anit Famëmadh.

Një ditë prej ditësh, ndoshta ka një e vit e diçka që atëherë, e fala namazin e ylesë në xhaminë e Murat Pashës ku ai shërbente si imam dhe dolëm bashkërisht nga xhamia. Ndër të tjerat biseduam për shqetësimet që ai kishte. Ai filloi natyrisht fillimisht për shëndetin e rënduar dhe mes tjerash tha se kishte shumë problem me diabetin, apo sëmundjen e sheqerit. I thashë në shaka se sa mirë që ke problem me sheqerin, se ti je vetë sheqer – ku ka më sheqer, më të ëmbël se Kur’ani!? Ky përshkrim është më tepër shpirtëror sesa racional, por nga dhembja e tij ai tha se fatkeqësisht Bashkësia Islame nuk interesohet fare për gjendjen e tij dhe se rrogën që merrte nuk mjaftonte as për nevojat e tij shëndetësore. Tha: shyqyr Zotit e kam djalin mjek që kujdeset për mua. Por, koha e bën të veten, ajo ka qenë dhe mbetet “e përhershme” dhe që të jetë kohë ajo është e dënuar ta përcjellë të vërtetën.

Siç thashë, ka pasur edhe para hafëz Sadudinit hafëzë, dhe atë hafëzë që i kanë plotësuar kushtet dhe kërkesat e Kur’anit, si: hafëz Shaban efendiu, hafëz Qamil efendiu, hafëz Bedri efendiu, hafëz Idriz efendiu i Allaxha xhamisë, hafëz Ismail Ali, hafëz Musa i Konjarës e më vonë i Stambollit. Mrekullia e kësaj është se dy hafëzë ishin të verbër, hafëz Hasani dhe hafëz Abdurrahimi, por që ishin anëtarë të Komisionit të hifzit; faktikisht edhe këta kanë marrë pjesë në hifzin e hafëz Sadës (më vjen keq që nuk më kujtohen mbiemrat e tyre, por ata kanë qenë të njohur dhe të dashur në Shkup dhe më gjerë). Megjithëse ishin pa “shikim”, familjet e tyre kujdeseshin si për njërin ashtu edhe për tjetrin, që shihej nga pastërtia e madhe që shfaqnin.

Hafëz Sadudini, rahmetullahi alejhi, ka marrë pjesë nëpër gara të ndryshme të Kur’anit edhe si lexues, edhe si anëtar komisioni, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë dhe gjetiu. Ai e ka përjetuar atë thënien popullore se, ‘njeriu asnjëherë nuk vlerësohet në vendin e tij’, që është një dëshmi e gjallë me të vërtetë: popullata jonë nuk ia kanë ditur dhe nuk do t’ia dinë vlerën asaj që është e vërtetë përparimtare për vendin dhe shpëtim për kohën. Faktikisht, moskujdesi i “muslimanëve”, si ai institucional ashtu edhe joinstitucional kanë qenë arsye për këtë mosvlerësim; si duket nga mosdija, ose kanë ditur por kanë pasur dëshirë ta zëvendësojnë demonin. Prandaj është edhe ajo thënia: o Zot na ruaj nga ata që e keqpërdorin të vërtetën, nga hoxhallarët, shejtan dhe nga shejtani, hoxhë.

E lus Zotin ta shpërblejë hafëz Sadudinin dhe ta kënaqë në Parajsën ku do të jenë hafëzët, kurse familjes së tij i shpreh edhe një herë ngushëllimet dhe shpresoj të mos e harrojnë porosinë e prindërve që hifzi të mbetet i gjallë siç do të mbesë rahmetliu. I madh e i vogël këtu dhe jashtë, kur përmendet emri “hafëz Sada” e kanë parasysh hafëzllëkun e tij si fëmijë dhe hafëzllikun e tij si besimtar serioz që edhe kur ecte edhe kur ulej lexonte/recitonte Kur’anin.(koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit