Edhe pse liqeni i Ohrit është pasuri e madhe natyrore e kulturore e Maqedonisë së Veriut, përballet me një sërë problemesh të cilat jo vetëm që e rrezikojnë liqenin të përjashtohet nga lista e vendeve të mbrojtura të UNESCO-së por dhe cenojnë ekzistencën e vet liqenit më të vjetër në Evropë. Edhe përkundër reagimit të aktivistëve, vetëdija e përgjithshme qytetare për mbrojtjen e liqenit mbetet e ulët, ndërsa nga ana tjetër, katastrofat ekologjike në këtë liqen neglizhohen edhe nga institucionet relevante, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse Liqeni i Ohrit është një thesar i madh natyror e kulturor në vend por që ka rëndësi globale, lista e problemeve me të cilat përballet është e gjatë, përfshirë këtu: Cilësia e ujit, zhvillimi i përgjithshëm urbanistik, shkatërrimi i habitatit të tij, peshkimi i tepërt, prerja e pyjeve, etj. Mes kësaj liste të gjatë, shqetësimi aktual dhe një ndër shqetësimet kryesore në liqen është ndotja e tejet e lartë e ujit. Për një kohë të gjatë aktivistët dhe raporte të ndryshme ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës kanë paralajmëruar si qytetarët ashtu edhe institucionet relevante, megjithatë ky shqetësim ka hasur në vesh të shurdhur.
Momentalisht nuk ka nevojë që ndonjë studim i caktuar të vërtetojë ndotjen e madhe të ujit në liqen, ndotja është aq e madhe sa duket me sy të lirë madje dhe nga aeroplani.
Aktivistët e “SOS Ohër” reaguan përmes një postimi në Facebook duke shkruar:
“DUKET NGA AEROPLANI!
Kësaj radhe, fjalë për fjalë, dy fotografi nga një aeroplan ilustrojnë ndotjen e liqenit të Ohrit nga lumi Sateska. Kjo perspektivë jep një pamje më të qartë të problemit të dekadave të devijimit të rrjedhës së lumenjve në liqen. Shumica e degëve, për fat të keq, janë të ndotura dhe i gjithë ai sediment përfundon direkt në liqen. Institucionet, sipas zakonit, nuk reagojnë, për ta ky nuk është problem.”