14.8 C
Skopje
Tuesday, October 14, 2025

Ndikimi rus në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut i kufizuar, por me rreziqe

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut përmes retorikës dhe aktiviteteve të disa politikanëve zbulojnë shenja të ndikimit rus. Edhe pse të gjithë kanë mbështetje margjinale, kjo tregon se Moska ka përfaqësues të saj ideologjikë dhe politikë  në skenën lokale në Maqedoni dhe sinjalizon për një përpjekje për ta ndryshuar narrativin politik, sidomos në raport me integrimet euroatlantike, konkludojnë një pjesë e analistëve, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.

Shembulli më i spikatur është partia pro-ruse “Maqedonia e Bashkuar” në krye të së cilës është Janko Baçev, e cila e mbështet publikisht thellimin e lidhjeve me Rusinë dhe refuzimin e integrimeve euroatlantike.

Retorikë pro Ruse nga parti margjinale

Kandidati i saj për kryetar të Qytetit të Shkupit, Zoran Jovanovski, njofton për binjakëzim të Shkupit me Moskën dhe pretendon se ka krijuar kontakte me të paktën 15 biznesmenë dhe investitorë rusë nga Kina dhe Bjellorusia, të cilët do të investonin në infrastrukturë dhe turizëm.

“Për të gjitha këto do të më ndihmojnë kontaktet e mia me ambasadën ruse dhe kineze në Shkup, të cilat më ftojnë rregullisht në të gjitha pritjet dhe eventet e tyre që mbahen në vendin tonë”, citohet të ketë thënë Jovanovski në portalin ueb “Nacional.mk” ku më shpesh ndahen njoftime dhe informacion nga partia “Maqedonia e Bashkuar”.

Jovanovski flet për plane për zhvillimin e asaj që ai e quan miqësi maqedono-sllavo lindore dhe për rritjen e fluksit turistik nga vizitorë rusë, bjellorusë dhe ukrainas, si dhe për ngritjen e një monumenti për konsullin rus Aleksander Arkadieviç Rostkovski, i cili ka vdekur në vitin 1903.

Kohët e fundit ai tha se shpreson se me ndihmën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, do të përfundojë lufta në Ukrainë dhe Moska do t’i arrijë qëllimet e saj gjeopolitike.

“Maqedonia e Bashkuar”, e emëruar sipas partisë së Putinit “Rusia e Bashkuar”, kurrë nuk ka fituar një mandat parlamentar, e as nuk është evidentuar pjesëmarrje e saj në pushtetin lokal. Në këto zgjedhje lokale ajo ka kandidatë për kryetar të komunës dhe këshilltar në 29 nga gjithsej 80 komuna.

Në një drejtim ideologjik të ngjashëm vepron edhe partia jashtëparlamentare “Rodina”, e cila për herë të parë mori pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Edhe këtë vit ajo ka kandidatë të saj për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë, nën maksimën “Mendo planetarisht, vepro tradicionalisht”.

Bartësi i listës së këshilltarëve të “Rodina”, Zoran Jovançev , paralajmëroi se “nëse ndiqni një komedian në terren do ju ndodhin tragjedi kombëtare si në Ukrainë”, duke aluduar për Volodimir Zelenskin para se ai të bëhej president i Ukrainës.

Edhe pse zakonisht të padukshme për publikun këto parti marrin mbulim modest mediatik gjatë fushatave zgjedhore. Sipas një analize të kryer nga Fondacioni “Metamorfozis” ndikimi i tyre në publik mbetet i kufizuar, por jo edhe pa rreziqe.

Të padukshme, por me rreziqe

Despina Kovaçevska nga Fondacioni “Меtamorfozis” thotë se gjatë monitorimit të tyre të mediave gjatë fushatës zgjedhore ka vënë re praninë e ndikimit rus jo vetëm në mesazhet e kandidatëve, por edhe në disa nga përfaqësuesit e kishës.

“Ata e ilustrojnë të njëjtën linjë të narrativit të Kremlinit për humbjen e sovranitetit të shteteve nëse ato bashkohen me Bashkimin Evropian – një narrativ që është theksuar nga EUvsDisinfo  si një nga taktikat kryesore dezinformative mbi të cilat bazohet ndikimi i huaj malicioz”, shpjegon Kovaçevska.

Sipas raportit të parë të misionit vëzhgues të OBSE/ODIHR, një ndër çështjet që e dominojnë fushatën janë debatet rreth reformave të nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Vëzhguesit e huaj shprehin shqetësim për nivelin e ulët të edukimit mediatik, gjë që mund ta bëjë publikun më të ndjeshëm ndaj dezinformatave të amplifikuara në rrjetet sociale gjatë fushatës zgjedhore.

“Disa janë të mendimit se manipulimi i mundshëm i informacionit nga jashtë gjatë procesit zgjedhor është gjithashtu një shkak për shqetësim”, thuhet në raportin e publikuar më 3 tetor.

Nga ana tjetër, analisti politik Xhelal Neziri nuk beson se narrativat e tilla në zgjedhjet lokale mund ta ndryshojnë opinionin publik.

“Për shkak të natyrës së vetë zgjedhjeve, të cilat janë lokale, është e vështirë që këto tema dhe ndikime të kenë një efekt, nuk besoj se ato mund ta riformësojnë opinionin publik në një mënyrë që i përshtatet agjendave të tyre”, shpjegon Neziri.

Përndryshe, mbështetja për integrimin evropian në Maqedoninë e Veriut mbetet e lartë. Sipas hulumtimit të fundit nga Instituti për Hulumtime Politike (IHP), 61 përqind e qytetarëve do të përgjigjeshin pozitivisht në pyetjen në referendum për atë nëse vendi duhet të bashkohet me BE-në.

Apasiev me fjalim në Moskë në Ditën e fitores mbi fashizmin

E vetmja parti parlamentare që tregon afërsi me Moskën është “E Majta” lideri i së cilës, Dimitar Apasiev, mori pjesë në Paradën Ushtarake në Moskë për ta shënuar Ditën e fitores mbi fashizmin me ftesë të kryetarit të Partisë Komuniste të Federatës Ruse (PKFR), Genadi Zjuganov.

 

Siç njoftuan atëkohë nga kjo parti, Apasiev mbajti një fjalim në Parkun e Fitores në Moskë ku theksoi se “E Majta” po lufton kundër revizionizmit historik dhe po mbron vlerat e luftës antifashiste.

“Por në këto zgjedhje “E Majta” po u përmbahet çështjeve lokale”, thotë Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Eurothink.

Kovaçevska shton se “E majta” “njihet për euroskepticizmin e saj dhe për disa takimet e saj me përfaqësues të ambasadës ruse”.

Në këto zgjedhje Apasiev u ankua publikisht se partia ishte diskriminuar gjatë ndarjes së buxhetit për reklama politike dhe njoftoi për procedura ligjore para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Edhe pse “E Majta” ka më shumë se pesë deputetë dhe një grup parlamentar në parlament, kodi zgjedhor nuk e përfshin atë në kategorinë e partive që kanë të drejtë për fonde shtetërore për reklama politike të paguara.

“Për këtë diskriminim politik do të diskutohet edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Por, më besoni, padrejtësia do të shkaktojë një efekt bumerang. Populli e sheh dhe intuitivisht solidarizohet me atë që po keqtrajtohet!”, tha Apasiev.

Ministër pro-rus në Qeveri

Në Shkup zëvendëskryeministri Ivan Stoillkoviq, udhëheqës i Partisë Demokratike të Serbëve dhe partner në koalicion me VMRO-DPMNE-në, vendosi lule para monumentit “9 Maji” së bashku me ambasadorin rus Bazdnikin. Stoillkoviq njihet për marrëdhëniet e tij të ngushta me Moskën dhe pjesëmarrjen në forumet ruse të sigurisë, ku ai e afirmon angazhimin e tij për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

Vitin e kaluar pjesëmarrjen e tij në forumin rus të sigurisë ai e përshkroi si një “përvojë të çmuar” dhe “njohuri të reja”, duke shtuar se mban marrëdhënie të mira me partnerët rusë përmes kanaleve zyrtare dhe joformale. Këtë vit ai merr pjesë në zgjedhjet lokale si bartës i një liste këshilltarësh në Kumanovë me parullën “kush nuk e do vëllanë për vëlla, do fitojë një të huaj për zot”.

Vetëm disa muaj më vonë, më 12 gusht, një delegacion nga LSDM-ja opozitare në Manastir e shënoi miqësinë me Rusinë dhe vendosi lule para monumentit “Kryqi Rus” në nder të konsullit rus Aleksander A. Rostkovski. Delegacionin e udhëhoqi kandidati i opozitës për kryetar komune, Metodija Kunovski.

Neziri: Me “Fuqinë e butë” të ndikimit rus po përgatitet një bazë për zgjedhjet parlamentare

Analisti politik dhe kryetari i Institutit për Media dhe Demokraci (BIRC), Xhelal Neziri, është i mendimit se aktivitetet aktuale të subjekteve pro-ruse kanë një ndikim të kufizuar në zgjedhjet lokale, por ato krijojnë një bazë për veprime të ardhshme politike në nivel kombëtar.

“Nëse shohim se si po zhvillohet debati dhe si subjekte të caktuara politike po marrin hov në vendin tonë, mendoj se këtu mund të kërkohen ato lidhje, qofshin logjistike, ideologjike apo financiare, që ato i kanë me Rusinë, Kinën dhe vende të tjera që janë në anën e kundërt të orientimit tonë strategjik. Mendoj se ajo prani e padukshme e ndikimit rus është e pranishme edhe në këto zgjedhje”, thotë Neziri.

Por qëllimi janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për këtë arsye, sipas Nezirit, fushata për zgjedhjet lokale shpesh lihet në hije nga temat gjeopolitike që nuk janë me interes për qytetarët, por u shërbejnë agjendave të faktorëve të jashtëm. Kjo shpjegon pse në këto zgjedhje ka një tendencë që fushata për zgjedhjet lokale të mbulohet me tema kombëtare.

Kovaçevska është e mendimit se narrativa të tilla jo vetëm që tentojnë ta paraqesin Rusinë si një alternativë të mundshme, por edhe e thellojnë polarizimin midis qytetarëve dhe, në të njëjtën kohë, e largojnë vëmendjen nga problemet thelbësore që duhen zgjidhur që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit