Me pikëllim të thellë është pranuar lajmi për ndarjen nga jeta të profesoreshës Hasibe Misini, e cila u shua më 16 mars 2026, duke lënë pas një boshllëk të madh në mesin e kolegëve, nxënësve dhe gjithë komunitetit arsimor në Kumanovë.
Hasibe Misini ishte një emër i respektuar në fushën e arsimit, e njohur për përkushtimin, profesionalizmin dhe qasjen e saj njerëzore ndaj nxënësve. Si profesoreshë e informatikës në SHMK Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë, ajo dha një kontribut të vyer në edukimin dhe formimin e shumë brezave.
Përveç punës së saj profesionale, ajo u vlerësua lart edhe për ndershmërinë, urtësinë dhe dashurinë e madhe për mësimdhënien. Në dekadën e fundit, aktivitetin e saj arsimor e vazhdoi në SHMTK “Nace Bugjoni” në Kumanovë, ku po ashtu la gjurmë të pashlyeshme në jetën shkollore.
Ndarja e saj nga jeta konsiderohet një humbje e madhe për arsimin shqiptar në Kumanovë dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të mësojnë prej saj.
Familjes Misini, kolegëve, nxënësve dhe miqve të saj u shprehen ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë. (INA)



