Dy dekada më parë, Ibrahim Rugova u nda nga gjithçka tokësore, nga ajo që njeriu e ka më të shtrenjtë dhe më të shenjtë në këtë jetë, për të hyrë në përmasën e pavdekësisë. U nda në heshtje, ashtu siç jetoi, për të mbetur përgjithmonë në ndërgjegjen e një kombi që ai e deshi me përulësi profetike dhe e udhëhoqi me urtësinë e rrallë të atyre që nuk sundojnë, por shërbejnë.
Ai ishte ndër ata pak burra që historia i zgjedh në çastet e saj më të errëta, kur urrejtja më e egër – ajo që Serbia ushqeu ndaj shqiptarëve, kërcënonte të shndërrohej në fat të pashmangshëm. Në atë kohë, Rugova nuk zgjodhi rrugën e hakmarrjes, por të dinjitetit; jo britmën, por fjalën; jo dhunën, por qëndresën morale. Me urtësi, maturi dhe përkushtim asketik, ai e vuri gjithë qenien e tij në shërbim të një ideali: që Kosova të bëhej e lirë dhe qytetarët e saj zotër të fatit në tokën e të parëve.
Bota shqiptare vështirë se do të ketë fatin të njohë sërish një personalitet të tillë: paqësor pa qenë i dobët, vizionar pa qenë utopist, dijetar pa qenë i shkëputur nga populli. Mirënjohja për Ibrahim Rugovën nuk është vetëm një detyrim moral, por një akt vetëdijeje kombëtare për gjithçka ai skaliti në memorien e gjithëshqiptarisë.
Presidenti i Kosovës u shua në një janar të akullt, në një janar që ngrinte lotët në rrugët e Prishtinës dhe kudo ku rrihte një zemër shqiptari. Ai iku fizikisht, por la pas një trashëgimi që pak politikanë e kanë lënë ndonjëherë, ndoshta sepse ai, në thelb, ishte më së paku politikan. Rugova ishte, mbi të gjitha, humanist. Një humanist i udhëhequr nga ide sublime të etikës dhe mendimit politik, të cilat ai i shkrinte në një ideal të epërm, që nuk mbaronte me pavarësinë formale të Kosovës, por synonte rikthimin e shqiptarëve në shtratin e tyre natyror perëndimor, pa ekuivoke dhe pa interpretime dashakeqe.
Ai ishte një artist i mirëfilltë i mendimit dhe i fjalës, njohës i thellë i përvojave më të sofistikuara të artit botëror dhe shqiptar. Një moralist i madh, që në shumë raste tejkalonte edhe predikuesit fetarë në qartësinë dhe fisnikërinë e parimeve. Një filozof i heshtur, që fjalën e latonte me aq kujdes, sa brenda saj shtresëzoheshin domethënie të shumta, shpesh të pakuptueshme për botën e zhurmshme që e rrethonte. Një studiues i jashtëzakonshëm i traditës dhe i modernes, i pakompromis ndaj çdo dukurie degraduese në art dhe letërsi – një mungesë e ndjeshme edhe sot në mendimin tonë kulturor.
Dhe po, ai ishte edhe politikan: një politikan karizmatik që i dha këtij domeni, aq të urryer ndër shqiptarë, një dimension tjetër, duke e mbushur me frymë filozofike, etike, letrare dhe kombëtare. Në këtë mënyrë, ai u shndërrua përjetësisht në një Ikonë Kombëtare.
Si një orakull modern, Rugova predikoi misionin, bashkoi “grigjën” rreth idesë së shenjtë të lirisë dhe u nis drejt Përjetësisë, duke lënë pas shpirtin dhe frymën e misionit, që sot endet mes nesh si një shkëndijë udhërrëfyese për breza të tërë.
Me thjeshtësinë dhe urtësinë e tij, ai ndërtoi ura miqësie ndërkombëtare, fitoi respektin e liderëve botërorë dhe e solli çështjen e Kosovës në qendër të vëmendjes globale. Ishte një përfaqësues i rrallë i kombit, që diti të bashkojë intelektin me përulësinë, forcën me paqen dhe dinjitetin me durimin historik.
Trashëgimia e tij mbetet një testament i gjallë i asaj që vizioni dhe vlerat mund të arrijnë, kur lidershipi dhe populli bëhen një trup i vetëm shpirtëror.
I përjetshëm qoftë në kujtesën e brezave emri, vepra dhe shembulli i pashoq i të pavdekshmit Ibrahim Rugova



