Ndarja e posteve në Strugë, së shpejti negociata mes VMRO-së dhe VLEN-it

VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i, në nivel lokal në Strugë, do të fillojnë bisedimet këto ditë për ndarjen e posteve në institucionet lokale. VMRO pritet t’i marrë pozitat drejtuese në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi Strugë”, në çerdhe, si dhe në të gjitha shkollat ku shumicë janë nxënësit maqedonas. VLEN pritet t’i marrë ndërmarrjet publike “Eko Struga”, “Komunalec”, si dhe të gjitha shkollat ku shumicë janë nxënësit shqiptarë, bëjnë të ditur burime nga VMRO-ja për Alsat. Negociatat për ndarjen e posteve vijnë pas zgjedhjes ditë më parë të kreut të Këshillit të Strugës, Mite Stefkovski nga radhët e VMRO-së. Megjithatë ai nuk komentoi zhvillimet politike.

“Kjo është çështje e strukturave politike të partive. Ne këtu, si përfaqësues në Këshill, jemi kompetentë vetëm për çështjet që vijnë në Këshill, prandaj nuk do të përgjigjem për asnjë çështje tjetër politike që është jashtë domenit të Këshillit”, deklaroi Mite Stefoski – kryetar i Këshillit të Komunës së Strugës.

Kuadër i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Këshillit Komunal ishte kushti kryesor i partisë së Mickoskit që koalicioni me VLEN-in në Strugë në nivel lokal të vazhdonte të funksiononte. Kjo ishte pika kryesore e kontestit midis VMRO-VLEN dhe kryetarit të komunës, Qyra. Përveç dhjetë këshilltarëve të VLEN-it dhe VMRO-së, për Stefoskin votuan edhe tre këshilltarët nga lista e ish-kryetarit Ramiz Merko, si dhe këshilltari nga Levica.

Kuadro të VMRO-DPMNE-së tashmë janë emëruar drejtorë të Shkollës Fillore “Josip Broz Tito” dhe të Shkollës së Mesme Profesionale “Niko Nestor”, ndërsa një kuadër i VLEN-it është emëruar drejtor në Gjimnazin “Ibrahim Temo”. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit