18.8 C
Skopje
Monday, November 3, 2025

Nazim Taipi reagon ndaj Arben Fetait: “Kur ambicia personale maskohet si parim”

Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi, reagon ashpër pas letrës publike të Arben Fetait drejtuar Arben Taravarit, duke e quajtur një përpjekje të dështuar për vetëmburrje dhe përçarje politike, transmeton Flaka

Në një reagim të publikuar sot, Nazim Taipi, Kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët (ASH), ka akuzuar Arben Fetain për manipulim të opinionit publik dhe për përpjekje për të legjitimuar një agjendë personale nën maskën e parimeve.

“Letra publike e Arben Fetait drejtuar Arben Taravarit është një përpjekje e dështuar për ta paraqitur veten si zëri i ndërgjegjes dhe parimeve të ASH-së. Në të vërtetë, përveç vetëmburrjes dhe viktimizimit artificial, ajo letër nuk shërben për asgjë tjetër,” deklaroi Taipi.

Ai e akuzoi Fetain për shkelje të vendimeve kolektive të partisë dhe për përçarje të qëllimshme.

“Si Kryetar i Kuvendit të ASH-së, Fetai veproi në kundërshtim me vendimet e organeve legjitime të partisë, duke tentuar të nxisë përçarje dhe konfuzion të brendshëm,” tha Taipi.

Sipas tij, vendimi për largimin e ASH-së nga qeveria nuk ishte personal i Taravarit, por një vullnet kolektiv i miratuar nga Kryesia me shumicë votash.

“Vendimi u mor me shumicë, me vetëm një abstenim. Fetai nuk ishte i sinqertë as kur pretendon se po qëndron me VLEN për parime. Ai vetë nuk e din se ku ka shkuar!”

Në reagimin e tij, Taipi i përmend Fetait edhe lidhjet e kaluara politike, duke e akuzuar për qëndrime kundër liderëve shqiptarë në rajon.

“Është po ai që në të kaluarën punoi hapur kundër Albin Kurtit në Kosovë, duke u rreshtuar me fraksione rivale. Sot po përpiqet të përdorë të njëjtën strategji përçarëse edhe këtu.”

Duke e quajtur një “mashë politike në duart e interesave të huaja”, Taipi shprehet se Fetai po vepron në kundërshtim me interesin kombëtar.

“Çdo lëvizje e tij ka qenë për pozitën, për karrierën, për rehatinë personale, jo për ASH-në dhe as për interesin kombëtar shqiptar.”

Ai e mbylli reagimin me një paralajmërim politik:

“Tetori është afër! Dhe në tetor, Fetai dhe tutorët e tij në VLEN do të marrin përgjigjen që e meritojnë – jo nga një lider, por nga vetë populli shqiptar.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit