29.8 C
Skopje
Monday, September 22, 2025

NATO-ja forcon krahun lindor: Vendoset sistem i integruar kundër dronëve

Pas ndërmarrjes së operacionit Roja Lindore në vazhdën e depërtimit të dronëve rusë në Poloni më 10 shtator, tetë vende të NATO-s kanë ofruar mjete dhe personel, përfshirë avionë luftarakë, helikopterë, anije dhe forca speciale, me qëllim forcimin e pranisë, bashkëpunimit dhe fleksibilitetit ushtarak përgjatë atij që po shihet tani si kufiri më i rrezikuar i aleancës.

Përdorimi i avionëve të shtrenjtë kundër dronëve të lirë nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm, ndaj NATO-ja po planifikon një sistem të integruar kundër dronëve, thonë ekspertët.

Edhe pse fokusi është te Polonia dhe kërcënimi nga dronët rusë, operacioni është shumëdimensional – duke përfshirë forcat tokësore, detare dhe ajrore – dhe synon t’i mbulojë boshllëqet në mbrojtje nga Deti i Veriut deri në Detin e Zi.

Megjithatë, NATO-ja e ka bërë të qartë se misioni do të zhvillohet vetëm brenda territorit të saj dhe nuk parashikon hyrjen në Ukrainën perëndimore për të mbrojtur hapësirën ajrore.

Më përpara, cdo anëtar i NATO-s kryente veçmas misione të patrullimit ajror në zona të ndryshme, ndërsa aleanca ofronte mbështetje shtesë, në varësi të nivelit të perceptuar të kërcënimit.

Tani, ideja është që burimet – qofshin raketa apo teknologji kundër-dron – të ndërveprojnë përgjatë gjithë krahut lindor.

Ky koncept është frymëzuar nga një operacion i ngjashëm, Roja e Baltikut, i nisur më herët këtë vit, si përgjigje ndaj disa sabotimeve të dyshuara nënujore nga Moska në Detin Baltik.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit