Ndër netët e mira, të cilat janë të dalluara nga netët e tjera të vitit, e cila konsiderohet si nata e shpëtimit, e kërkimfaljes dhe e pendimit, është edhe “Nata e Beratit”.
Kjo natë bie në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, që është muaji pararendës i Ramazanit. Ndryshe, quhet edhe Nata e gjysmës së Shabanit.
Ibni Maxhe, ka shënuar një hadith, i cili tregon se si Pejgamberi na ka udhëzuar që këtë natë ta kalojmë duke bërë ibadet: “Kur të vjen nata e 15-të e Shabanit, rrini sa ma shumë zgjuar (duke bërë ibadet), kurse ditën që e pason, agjëroni”.
Është e mirë ditur se në kohën e sahabëve, këtë natë ata e kanë kaluar me ibadet të shtuar, me lexim të Kuranit, me nafile namaz, me dua-lutje, me kërkimfalje-istigfar, me dhënie të sadakasë e me vepra tjera të dobishme. Krejt kjo duke u mbështetur në shpjegimet e Pejgamberit (a.s.) lidhur me rëndësinë e kësaj nate: “Kur të vij nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban, kalojeni me ibadet e nafile-namaz, kurse ditën me agjërim!
Nata e Beratit, e cila ndryshe quhet edhe. “Nata e faljes (amnistisë)”, na rikujton se jemi në prag të muajit Ramazan, sepse nga kjo natë deri në Ramazan, na ndajnë vetëm dy javë, kështu që, kjo natë sikur na ofron gëzim e kënaqësi dhe na shtynë të përgatitemi sa ma shumë e më mirë për pritjen e Muajit të agjërimit. Në fakt, kjo edhe ka qenë praktikë e Pejgamberit (a.s.), e familjes së tij dhe e as’habëve në përgjithësi.
Kështu, muaji Rexheb është muaji i faljeve të gjynaheve, muaji Shaban është për pastrimin e zemrës, ndërkaq muaji Ramazan për t’iu afrua Allahut të Gjithëmëshirshëm.
R.R



