Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur me emocione të veçanta para përballjes ndaj Turqia, duke e cilësuar këtë ndeshje si shumë të rëndësishme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë personal.
Në një deklaratë për median turke HT Spor, Muriqi theksoi lidhjen e tij të fortë me Turqinë, vend ku ai ndërtoi karrierën dhe u bë lojtari që është sot.
“Kam emocione të përziera sepse do të përballemi me Turqinë. Ka edhe një anë emocionale në këtë ndeshje, sepse në Turqi u bëra Vedati që jam sot,” u shpreh ai.
Megjithatë, sulmuesi kosovar e pranon se kundërshtari hyn si favorit në këtë përballje, por beson se Kosova ka avantazhin e fushës.
“Favoriti në këtë përballje është Turqia. Avantazhi ynë do të jetë loja në shtëpi. Do të bëjmë gjithçka që mundemi,” shtoi Muriqi.
Kosova pritet të kërkojë rezultat pozitiv para tifozëve të saj, ndërsa kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për formën dhe ambiciet e ekipit.(INA)



