10.8 C
Skopje
Tuesday, November 4, 2025

Murati: Negociatat me BE-në janë bllokuar, vendi ka mbetur pas fqinjëve

Shkup, 20 qershor – Sot nuk po flasim më për një vonesë teknike. Sot po flasim për një rrëshqitje të rrezikshme historike — nga rruga drejt Evropës, në një rrugë drejt izolimit.

Maqedonia e Veriut ka qenë dikur simbol i shpresës evropiane në Ballkan. Sot, është bërë simbol i stagnimit.

Negociatat me BE-në janë bllokuar. Ndryshimet kushtetuese kanë dështuar. Institucionet heshtin. Qytetarët paguajnë çmimin.

Ndërkohë, fqinjët tanë ecin para: Shqipëria — me kapituj të hapur, drejt anëtarësimit deri në vitin 2030. Mali i Zi — në të njëjtën rrugë. Madje edhe Moldavia, dikur shumë mbrapa, sot pritet të na tejkalojë.

Po Maqedonia e Veriut? E vendosur në fund të listës, përkrah Bosnjës dhe Kosovës. Jo sepse nuk ka kapacitete — por sepse nuk ka vullnet politik.

Nga Brukseli, jemi zhvendosur në Beograd e Banja Luka. Në vend të partnerëve evropianë, sot takojmë figura që përkujtojnë “agresionin e NATO-s”. Nga diplomacia evropiane, kemi kaluar në nostalgji politike.

Evropa nuk është më prioritet i kësaj qeverie. Në vend të reformave, kemi spektakël. Në vend të meritës, kemi revansh. Në vend të integrimit, kemi improvizim.

E ardhmja evropiane nuk mund të ndërtohet me fjalime në Facebook. As me zgjedhje të drejtorëve që fyejnë qytetarët. As me sfida boshe ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Qytetarët e këtij vendi meritojnë më shumë. Meritojnë një shtet funksional. Meritojnë një qeveri që nuk i përdor proceset evropiane për kalkulime të brendshme, por që i përmbush ato me seriozitet e dinjitet.

Ne nuk jemi këtu për të heshtur. Ne jemi këtu për të thënë qartë: Evropa është zgjidhja. Izolimi është rreziku.

Kush punon kundër Evropës, punon kundër qytetarëve të këtij vendi. Kush i bllokon ndryshimet, bllokon të ardhmen. Kush rrotullohet në vend, humb trenin e historisë.

Sot është koha për zgjedhje. Evropa ose izolimi. Liria ose stanjacioni. E ardhmja ose e kaluara.

Dhe ne, bashkë me qytetarët, e kemi bërë zgjedhjen tonë:
JO RUSISË – PO EVROPËS!

 

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit