Në pikat e vaksinimit në mbarë vendin mungojnë mjekë e infermiere. Mjekët pediatër thonë se në këto pika fëmijët dhe foshnjat marrin mbrojtjen e parë në jetën e tyre. Katarina Stavriq nga Klinika e Fëmijëve thotë se një pjesë e infermiereve tashmë janë pensionuar ndërsa nuk ka pasur punësime të reja.
“Ka punësime, por jo të mjaftueshme dhe të shpresojmë që në periudhën e ardhshme do të rritet ky numër, sepse është me rëndësi të ketë mjaftueshëm kuadër. Ja, flasim për punë pasdite, për vaksinim në terren dhe e gjithë kjo kërkon kuadër shtesë që do të angazhohet”, u shpreh Katarina Stavriq – pediatre.
Në Ohër, problemi pjesërisht është tejkaluar me kthimin nga pensioni të një mjeke dhe punësimin e një tjetër pas kthimit të saj nga specializimi, por kjo nuk është e mjaftueshme.
“Në Ohër nuk ka kuadër. Në Strugë ka më shumë, gjithsej katër janë, në Vevçan ka. Problemi është se të rinjtë fillojnë në vaksinime, një apo dy vite punojnë aty, mësojnë dhe pastaj shkojnë në specializime të tjera, në kirurgji, gjinekologji, askush nuk e do preventivën”, tha Jovanka Koroveshoska – mjeke.
Për shkak të kësaj situate dhe mungesës së kuadrit, në shumë vende, sidomos në mjediset rurale, nuk mund të realizohet vaksinimi në terren./ Alsat.mk



