Në një prononcim për ora24.tv, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, deklaroi se reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në disa pjesë të vendit, me dalje të lumenjve nga shtrati, përmbytje, evakuime dhe bllokime rrugësh.
Sipas tij, në Gostivar, pas daljes së ujit nga shtrati i lumenjve Llakavicë dhe Sushicë, rruga Forinë–Kuçevishtë është vështirë e kalueshme. Në Ohër janë përmbytur disa bodrume dhe oborre, ndërsa në Kërçovë, përgjatë rrugës Prilepska, nga dalja e lumenjve Zarshka dhe Treska janë përmbytur objekte dhe rreth 100 persona janë evakuuar në mënyrë preventive.
Rritje e nivelit të ujit është shënuar edhe në Manastir dhe Prespë, ku disa shtëpi dhe oborre janë përmbytur. Në Tetovë, pas rrëshqitjes së dheut, disa rrugë janë bllokuar, ndërsa ende mbetet e pakalueshme një rrugë drejt Banjës.
Ali theksoi se ekipet e komunave, shërbimet emergjente dhe QMK-ja janë në terren dhe po veprojnë në koordinim të plotë për normalizimin e situatës, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.



