Shkup, 22 dhjetor – Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski njoftoi sot hapjen e konsullatës së Maqedonisë së Veriut në Korçë, në vitin 2026.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shkup me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministri Mucunski u ndal te marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bashkëpunimin rajonal.
“Dialogu politik mes dy vendeve tona po zhvillohet në nivel të lartë dhe konstruktiv. Ne jemi fqinjë, aleatë në NATO dhe vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi po ashtu 100% të harmonizuar për sigurinë e jashtme të BE-së”, tha ai.
Duke folur për bashkëpunimin dypalësh, Mucunski nënvizoi rëndësinë e Korridorit 8 për dy vendet.
“Do të bashkëpunojmë për më tepër iniciativa dhe nisma të ndryshme që do t’i paralajmërojmë në tryezën e ardhshme mes nesh dhe kolegëve të tjerë të vendeve anëtare të BE-së”, tha ministri Mucunski.
“Para disa muajsh Republika e Shqipërisë hapi një Konsullatë të Përgjithshme në Strugë. Jemi të lumtur që në vitin 2026 do të hapim Konsullatë në Korçë. Biseduam për bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, për fqinjësinë e mirë, shkëmbimin e projekteve të ndryshme. Bashkërisht konstatuam se lidhjet kulturore janë të fuqishme dhe këtë dëshmojnë më tepër aktivitete të realizuara gjatë vitit të kaluar”, tha ai.
Mucunski vlerësoi po ashtu edhe angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e pakicës maqedonase.
“Pata nderin të marr pjesë në në manifestim kulturor, një organizim të pakicës kombëtare të Maqedonisë së Veriut në Pustec. Prandaj shpreh falënderimin për bashkëpunimin që kemi në planin bilateral për mbrojtjen e pakicës maqedonase që jeton në Shqipëri”, shtoi ai.
Ndërsa ministrja Spiropali bëri të ditur se gjatë takimit me homologun e saj, Mucunski, është diskutuar edhe hapja e një Konsullate të Republikës së Shqipërisë në qytetin e Manastirit.
Ajo theksoi se Manastiri mbart një simbolikë të veçantë për shqiptarët, pasi aty, në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, u mor vendimi historik për njehsimin e gjuhës shqipe.
“Kjo kërkesë vjen në vijim të hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë më 8 korrik dhe vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të hapur një Konsullatë të Përgjithshme në qytetin e Korçës”, tha Spiropali.





