Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski prej sot e deri të enjten qëndron për vizitë pune në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin botëror për qeveritë, që mbahet nën moton “Formësimi i qeverive të ardhshme”.
Siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në Samit do të marrin pjesë mbi 35 shefa të shteteve dhe qeverive, më shumë se 20 kryetarë të organizatave ndërkombëtare, si dhe mbi 500 ministra dhe liderë të kompanive multinacionale nga tërë bota, ndërsa i kushtohet avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe gjetjes së zgjidhjeve inovative për sfidat e ardhshme globale.
“Në kuadër të Samitit, ministri Mucunski do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në panel diskutimin ‘The next logistics order: What must change?’, si dhe në tryezën e rrumbullakët ministrore, kushtuar zhvillimit të sistemeve logjistike globale dhe tregtare dhe ndryshimet aktuale gjeopolitike”, paralajmëruan nga Ministria.
Gjatë vizitës, u parashikua të nënshkruhet memorandum mirëkuptimi midis qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe realizimi i takimeve të shumta dypalëshe me përfaqësues të lartë të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe kompanive multinacionale.
“Pjesëmarrja e ministrit Mucunski në Samitin botëror të Qeverive në Dubai paraqet konfirmim të rolit aktiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut në promovim të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe të përpjekjeve të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut për të thelluar marrëdhëniet me aktorët kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë vendet nga bota arabe dhe Lindja e Mesme”, informoi Ministria.



