Ministria e Punëve të Brendshme sot ka nisur aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e kamerave të vendosura për mbikëqyrje të komunikacionit në Kumanovë dhe Tetovë. Aktivitetet filluan nga ora 08:00 dhe do të zgjasin deri në 20:00, ku në secilin lokacion procedura do të kryhet një herë për rreth 15 deri 30 minuta, dhe komunikacioni do të pezullohet përkohësisht gjatë zbatimit. MPB u bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik të respektojnë kufizimet, të tregojnë durim dhe bashkëpunim për realizim të sigurt të aktiviteteve.
Përndryshe, pas votimit në Kuvend, nga 1 shkurti do të nisë zbatimi i sistemit “Safe City” në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Kamerat do regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut. Pajisjet do të vendosen gjithashtu në korridoret 8 dhe 10 në fazën fillestare të implementimit.



