Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paralajmëruar qytetarët për një formë mashtrimi online përmes mesazheve të rreme që pretendohet se lidhen me sistemin “Safe City”.
Sipas MPB-së, qytetarëve u dërgohen SMS, email-e dhe mesazhe në rrjetet sociale, në të cilat pretendohet se kanë kryer shkelje në trafik. Mesazhet përmbajnë një link të rremë përmes të cilit kërkohet pagesa e një gjobe.
MPB u bën thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos japin të dhëna personale apo informacione të kartelave bankare.
Qytetarët këshillohen të kontrollojnë edhe dërguesin e mesazhit. Sipas MPB-së, njoftimet zyrtare për shkeljet në trafik duhet të dërgohen nga “MVR-SC”, të përmbajnë targën e automjetit dhe një link zyrtar që fillon me safecountry.mvr.gov.mk.
Institucioni rekomandon që mesazhet e dyshimta të raportohen te institucionet kompetente ose te banka.
Ndërkohë, Sektori për Krim Kibernetik në MPB po vazhdon hetimet për identifikimin dhe sanksionimin e personave përgjegjës për këto mashtrime.






