Ministria e Punëve të Brendshme njofton publikun se është në zhvillim një aksion i gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane.
Në një person juridik në Shkup janë gjetur dhe konfiskuar rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1.300 shishe vaj të prodhuar nga kanabisi (gjysmëprodukt). Ndërkohë, nga persona juridikë në rajonin lindor të vendit janë sekuestruar mbi 31 ton marihuanë dhe biomasa.
Në koordinim me Drejtorinë e Doganave dhe Komisionin kompetent për kontrollin e kësaj veprimtarie pranë Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer kontrolle në disa persona juridikë, veprimtaria bazë e të cilëve është kultivimi i bimëve aromatike, mjekësore dhe bimëve për përdorim farmaceutik. Po ashtu, në koordinim me prokurorin publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJQO–GOKK), po ndërmerren masa dhe aktivitete për të përcaktuar faktet nëse marihuana e sekuestruar së fundmi në Republikën e Serbisë ka origjinë nga shteti ynë.



